Futbollistët, imunë NDAJ DHUNËS

  • 24 October 2017 - 09:04
Futbollistët, imunë NDAJ DHUNËS

Skenat e vazhdueshme të tensioneve dhe dhunës së shfaqur në futbollin kosovar sikur i ka bërë imunë lojtarët tanë ndaj saj dhe tashmë nuk po iu duket shumë interesant më atë çfarë shohin. Derisa mediumet ndërkombëtare pamjet që ofroi ndeshja Flamurtari - Vëllaznimi i cilësuan si të tmerrshme, tek ne sikur nuk u duken gjitha, pasi nuk është hera e parë që përballemi me to e fatkeqësisht reagimet vazhdojnë të mbesin nën nivelin e dëshiruar. Njëri nga futbollistët më me përvojë në futbollin tonë, Taulant Dajaku ka thënë se këto gjëra sikur janë përditshmëri e jona dhe jo vetëm në sport por në gjithë sferën e jetës. Ai, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se duhet një mobilizim i përgjithshëm duke filluar nga FFK-ja, drejtuesit e klubeve dhe tifozët që të tejkalohet kjo situatë dhe vazhdimi i garave të jetë në nivelin e dëshiruar e assesi kampionati të futet në binar që mund të na dërgojnë në humnerë.

Viktimë të gjithë

"Mendoj se është bërë përditshmëri e jona përballja me dhunën dhe me gjëra të çuditshme në çdo sferë të jetës. Them se në gjithë këtë "gjurulldi" nuk ka vetëm një viktimë, jemi të gjithë ne viktima", ka thënë Dajaku për gazetën "Kosova Sot", duke folur më pas për ngjarjen e fundit të ndodhura në Prishtinë. "Mos harroni nuk është rasti i Flamurtarit një rast në të cilin Vëllaznimi mund të bëj viktimën, sepse edhe Vëllaznimit i ka ndodhur të shkaktojë të tilla situata bile edhe më të rënda dhe kur kanë ndodh ato gjëra as atëherë FFK-ja nuk e ka përjashtuar Vëllaznimin, prandaj s'duhet të ketë standard të dyfishtë, sado që dhuna është e papranueshme", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Taulant Dajaku.

FFK-ja në aksion

Futbolli i Kosovës pas tensioneve të shfaqura në ndeshjen Flamurtari - Vëllanzimi dhe tek ndeshja Drita - Trepça'89, ku u tentua të sulmohet gjyqtari kryesor ka marrë një goditje bukur të rëndë, andaj duhet në reagim i shpejtë dhe i fuqishëm që vazhdimi të mos sjellë ngjarje të tilla. Sipas Dajakut, FFK-ja duhet të mbledh klubet dhe të diskutojë për të ardhmen. "Unë mendoj se FFKja duhet të bëjë një mbledhje urgjente me të gjithë presidentët dhe me të gjitha klubet që ka nën ombrellë, dhe aty të formulohet një rregullore strikte ku përfshihen në detaje situatat dhe dënimet për të tilla gjëra tash e tutje", ka thënë Dajaku, duke shtuar: "Ajo mbledhje do të ishte si barazim i çdo favori që ndonjë klub ka kërkuar deri sot nga njerëz të federatës. Kështu do të kishim një rifillim dhe do duhej të ndanim organizimin e ligës superiore, duke caktuar një supervizor me një bord nga ekipet pjesëmarrëse. Krejt kjo që thash ka të bëjë me një strukturim të ri të krejt formës se si menaxhohet liga", ka përfunduar Taulant Dajaku

(Kosova Sot)