Mobilizohet Trepça

  • 24 October 2017 - 09:06
Mobilizohet Trepça

Njëra nga skuadrat e hendbollit që do të luajë këtë edicion në garat evropiane është Trepça e Mitrovicës. Vitin e kaluar kjo skuadër kishte befasuar të gjithë me paraqitjet e mira, duke siguruar një vend për garat evropiane, por këtë edicion e filluan me shumë probleme. Gjysma e ekipit ishte në bojkot për shkak të vonimit të pagave dhe nuk kishin pranuar të stërvitin dhe të luajnë. Megjithatë, së fundi edhe me ndërmjetësimin e tifozerisë 'Torcida', lojtarët kanë ndërprerë bojkotin dhe të luajnë.

Bashkohet ekipi

Tashmë mitrovicasit kanë filluar përgatitjet për garat evropiane, ku do të debutojnë ndaj skuadrës rumune, AHC Potaissa Turda. Trajneri i Trepçës, Taib Kabashi thotë se ndërprerja e bojkotit është një lajm i mirë për 'Xehetarët'. "Po, lojtarët kanë ndërprerë bojkotin dhe janë kthyer në stërvitje dhe për ndeshje. Ekipi është i kompletuar dhe po përgatitemi maksimalisht. Hendbollistët kanë pranuar të luajnë në këto kushte edhe me ndërmjetësimin e 'Torcidës' që ka luajtur një rol të madh në këtë aspekt. Tashmë ekipi është i kompletuar dhe po përgatitemi për garat evropiane. Edicionin e kaluar kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira, dhe kemi pasur rezultate mjaft të mira, duke siguruar edhe garat evropiane, megjithatë, këtë edicion nuk e filluam ashtu siç e kemi pritur, për shkak të bojkotit të lojtarëve. Hendbollistët nuk kanë stërvitur për shkak të problemeve financiare. Kërkesat e tyre kanë qenë normale, por ashtu si shumica e klubeve në Kosovë, edhe ne jemi ballafaquar me probleme financiare, pasi nuk kemi sponsor gjeneral, derisa mungon ndihma për klubin tonë, ashtu siç e meriton. Për këto arsye kemi pasur probleme të tilla", ka thënë Taib Kabashi për gazetën "Kosova Sot". Trepça vitin e kaluar ishte mobilizuar maksimalisht, duke pasur rezultate pozitive, derisa kishte edhe përkrahjen e shikuesve, që e kanë përkrahur pothuajse në çdo ndeshje.

Synimet në garat evropiane

Trepça do të përballet me AHC Potaissa Turda më 18 dhe 25 nëntor, ku mitrovicasit shpresojnë të kenë paraqitje sa më të mira. Kabashi thotë se nuk do të kenë lehtë. "Do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mira në garat evropiane. Për këto ndeshje gjithashtu do të marrim disa lojtarë nga klubet tjera në Kosovë, si dhe me ekipin që kemi, besoj se do të kemi paraqitje pozitive, edhe pse nuk do të kemi aspak lehtë, për shkak se do të përballemi me një kundërshtar mjaft të fortë. Sidoqoftë, ne jemi duke u përgatitur maksimalisht për këto dy ndeshje që do të zhvillohen muajin e ardhshëm. Propozimi ynë është që dy ndeshjet të zhvillohen në Mitrovicë, por do të shohim nëse këtë propozim do ta pranojë skuadra kundërshtare. Synimi ynë për garat evropiane është që të kemi paraqitje të mira në këto dy sfida dhe do të luftojmë deri në fund për rezultate pozitive", është shprehur Taib Kabashi për gazetën "Kosova Sot". Takimet në garat evropiane janë të vlefshme për rrethin e tretë të Kupës Sfiduese.

(Kosova Sot)