Lazio, edhe Jahmir Hyka në axhendën e Igli Tares

  • 28 July 2015 - 14:19
Lazio, edhe Jahmir Hyka në axhendën e Igli Tares

Një tjetër emër shqiptar i shtohet listës së drejtorit sportiv të Lazios, Igli Tare. Bëhet fjalë për sulmuesin Jahmir Hyka, i cili po ndiqet nga klubi italian. Sipas faqes “Lalazisiamonoi.it” që citon gazetën La Repubblica, Hyka mund të plotësojë vendin e lënë bosh nga kapiteni Stefano Mauri pasi ka karakteristika të njëjta, por është i aftë për t’u përshtatur edhe me disa role në mesin e fushës. “Edhe pse vetëm 168 cm i gjatë, ai është një lojtar i shpejtë”, shkruan ndër të tjera faqja italiane që shton se Hyka ka një kontratë që e lidh me Lucernën deri në vitin 2016 por mund të largohet nga klubi aktual nëse Lazio vendos të paguajë rreth 1 milionë Euro për kartonin e tij. Hyka u transferua te Lucerna në vitin 2011 ku ka fituar besimin e tifozëve dhe drejtuesve të klubit helvet. Ai debutoi me Kombëtaren Shqiptare në vitin 2007 por gjatë eleminatoreve të Euro 2016 nuk është përzgjedhur nga trajneri De Biasi për të qenë pjesë e grupit kuqezi.