Nadal kalon në 16 më të mirët e turnut të Hamburgut

  • 28 July 2015 - 20:55
Nadal kalon në 16 më të mirët e turnut të Hamburgut

Rafael Nadal filloi në mënyrën më të mirë të aventurën e tij në turneun e përvitshëm të Hamburgut duke mundur bashkëkombasin Fernando Verdasco. Pas eliminimit të papritur në Wimbledon nga tenisti me origjinë xhamajkane Dustin Brown Rafa e pati bërë të qartë që do të bënte cmos në pjesën e dytë të sezonit për të përmirësuar pozitat e tij në klasifikimin e përgjithshëm botëror. Në renditjen ATP 29-vjecari nga Mallorca ka rrëshqitur në vendin e fundit të dhjetëshes së parë kështuqë turneu gjerman përbën një rast të shkëlqyer për të përfituar pozicione, për më tepër që nga edicioni i 108 i turneut të Hamburgut janë tërhequr dy emra shumë të rëndësishëm si David Ferrer dhe Gilles Simon që pozicionohen për momentin në vendet 7 dhe 11 të klasifikimit botëror. Rafel Nadal i cili e ka fituar këtë turne në vitin 2008, praktikisht në sezonin e fundit kur kategorizohej si një aktivitet Masters 1000, është i vetmi tenist i 20-shes së parë të renditjes ATP dhe duke patur parasysh kalendarin tepër të lehtë Rafa nuk duhet të ketë shumë probleme për të siguruar finalen nga pjesa e sipërme e shortit.

Përsa i përket ndeshjes hapëse gjithsesi Nadal u impenjua në maksimum pas setit të parë, vetëm atëherë kur e pa veten në vështirësi dhe u ndje i kërcënuar për një tjetër eliminim të bujshëm që në raundet e para. Mbreti i fushave me dhe kryesonte 14-2 bilancin e përgjithshëm megjithatë dy sukseset e vetme të Fernando Verdascos ndaj tij ishin regjistruar pikërisht në dy përballjet e fundit kompetitive ndërmjet tyre. Rafa e theu menjëherë në servis që në game-n hapës kundërshtarin e tij sidoqoftë prej aty Verdasco i rrëmbeu dy herë shërbimet bashkëombasit të tij duke fituar 6 nga 8 game-t e mbetur të setit të parë. Seti i parë zgjati 37′ gjithsesi pas disavantazhit të setit hapës Rafa u rikthye në mënyrën më të mirë të mundshme duke humbur vetëm dy game gjithsej, e për rrjedhojë Nadal fitoi betejën e mëngjerashëve në afërsisht dy orë lojë duke mundur numrin 41 të botës me rezultatin 3-6, 6-1, 6-1.

Një tjetër ndeshje interesante ishte edhe ajo ndërmjet tenistit vendas Philipp Kohlschreiber dhe tenistit francez Benoit Paire. 26-vjecari nga Avignon është përmirësuar ndjeshëm në formën e tij dhe këtë e konfirmon gjithashtu edhe triumfi në Suedi në Bastad ku të dielën e kaluar mundi në finale spanjollin Tommy Robredo. Numri 42 i botës pavarësisht se humbi setin e dytë fitoi gjithë takimin me rezultatin 6-3, 3-6, 6-1 në dicka më tepër se një orë e gjysmë lojë. Përsa i përket ndeshjeve të tjera Roberto Bautista – Agut fitoi në vetëm dy sete ndaj adoleshentit kroat Borna Coric dhe të njëjtën gjë arriti edhe italiani Andreas Seppi ndaj sllovakut Martin Klizan, ndërkaq takimi më i fortë u luajt ndërmjet dy tenistëve Juan Monaco dhe Ernests Gulbis, me tenistin argjentinas që në fund ia doli mbanë të mbyllë gjithë takimin me shifrat 6-3, 6-7, 6-3 në njëndeshje që zgjati plot 2 orë e 37′ gjithsej.