Letonia, shansi i Muharrem Sahitit

  • 07 November 2017 - 09:47
Letonia, shansi i Muharrem Sahitit

Sfida ndaj Letonisë, një test edhe për trajnerin gjilanas.

"Tash për tash nuk mund të them nëse duhet apo jo t'i jepet besimi Sahitit për të ardhmen. Nuk duhet të mendohet një lojë, por duhet të mendohet për një cikël më afatgjatë. Tash edhe Muharremi ka një përvojë me Kombëtaren, se ka qenë gjithnjë afër saj, por prapë për këtë gjë vendos FFK-ja", ka thënë për "Kosova Sot", Arsim Plepolli.

Kosova të hënën do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Letoninë, e cila në opinion po pritet me kërshëri. Kjo jo për shkak të entuziazmit që ngjall kundërshtari, por për shkak që ndeshja zhvillohet para publikut kosovar dhe Kosova rikthehet të luajë para shikuesve të vet, pas një aventure zhgënjyese në eliminatoret e botërorit, e aq më keq që ndeshjet si vendase ishte e detyruar t'i zhvillojë në Shkodër. Ndeshja me Letoninë luhet të hënën që vjen në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë, ku "Dardanët" për herë të parë do të kenë mundësi nga afër ta mbështesin përfaqësuesen e tyre. Një e veçantë tjetër e kësaj ndeshjeje është se Kombëtarja e Kosovës do të udhëhiqet nga trajneri Muharrem Sahiti, të cilit iu besua kjo detyrë pas largimit të Albert Bunjakit. Menjëherë pasi FFK-ja vendosi t'i besojë Sahitit, opinioni e komentoi në mënyra të ndryshme, duke shprehur skepticizëm se ai është i duhuri për Kosovën, madje edhe pse bëhet fjalë vetëm për një ndeshje. Mirëpo, njohësi i mirë i futbollit kosovar, Arsim Plepolli, në një bisedë për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se ky vendim është shumë i qëlluar nga ana e FFK-së, duke mos e mohuar as mundësinë që ai të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Përvoja e Sahitit

Image

"Unë mendoj që FFK-ja ka bërë shumë mirë që ka marrë vendim që Kosovën ta udhëheqë ndihmësi i parë i Albert Bunjakit, në këtë rast Muharem Sahiti. Ai, për momentin, është në dijeni për situatën dhe futbollistët. Përveç kësaj, kjo është vetëm një ndeshje miqësore, dhe më gëzon fakti që luhet në Kosovë. Shpresojmë se do ta kemi stadiumin e mbushur dhe do jetë një ndeshje cilësore, pse jo edhe të fitojmë atë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Arsim Plepolli, duke shtuar se tek pas kësaj ndeshjeje FFK-ja duhet ta analizojë situatën dhe të marrë vendim për të ardhmen e Kosovës. "Pas kësaj ndeshjeje, atëherë sigurisht që FFK-ja, në krye me presidentin Fadil Vokrri, do të ulën dhe do diskutojnë për të ardhmen e selektorit. Në këto momente nuk kisha dashur të më thellë se kush duhet ta udhëheqë Kosovën. Gjithsesi, një rol të madh e luan edhe buxheti financiar. Për të sjellë selektor shumë cilësor, duhet mirë të mendojmë, pasi ai di të kushtojë shumë shtrenjtë, por po shpresojmë që FFK-ja do të zgjedhë më të mirën. Vokrri njeh shumë trajnerë dhe do të vendosë për më të mirin, për një të ardhme sa më të mirë", ka thënë për "Kosova Sot", Plepolli.

Kosova, në duart e vendorëve

Ndonëse Federata e Futbollit e Kosovës nuk e ka thënë këtë, gjithsesi, Letonia mund të jetë një shans për Muharrem Sahitin, i cili në rast të një paraqitjeje spektakolare të ketë një mundësi të dytë, dhe t'i besohen eliminatoret për "Evropianin 2020". Megjithatë, njohësit pak besojnë në atë, derisa Plepolli thotë se asnjë trajner nuk duhet vlerësuar me një ndeshje. "Në këtë rast nuk mund të them asgjë nëse duhet apo jo t'i jepet besimi Sahitit për të ardhmen. Nuk duhet të mendohet një lojë, por duhet të mendohet për një cikël më afatgjatë. Tash edhe Muharremi ka një përvojë me Kombëtaren, se ka qenë gjithnjë afër saj, por prapë për këtë gjë vendos FFKja", ka thënë për "Kosova Sot", Plepolli, duke shtuar se Kosovës i duhet një trajner me një bagazh të pasur. "Unë kam thënë disa herë se për momentin na duhet një trajner që ka një bagazh bukur të pasur në arenën ndërkombëtare, që të mësojmë edhe ne nga ai. Nuk është marre të mësosh nga ai që di, por shpresojmë që do të jetë trajner me një karrierë të mirë në Kombëtaren tonë", ka përfunduar, Arsim Plepolli.

(Kosova Sot)