< Ndeshje vendimtare PËR PRISHTINËN - Sport - Kosova Sot
Ndeshje vendimtare PĖR PRISHTINĖN

Ndeshje vendimtare PĖR PRISHTINĖN

Sigal Prishtina sonte do të ketë njërën nga ndeshjet më të rëndësishme në vitet e fundit. Bardhekaltrit do të përballen me skuadrën belge Belfius Mons, dhe nëse shënojnë fitore, atëherë do të kualifikohen tutje në garat e FIBA Europe Cup. Kryeqytetasit kanë tri fitore dhe një humbje në edicionin e tanishëm

Kampionia e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina sonte (e martë) kërkon kualifikimin tutje në garat e FIBA Europe Cup. Prishtinasit kanë tri fitore dhe një humbje në këtë garë deri më tani, dhe përballja ndaj skuadrës belge, Belfius Mons është vendimtare për bardhekaltrit. Nëse triumfojnë kryeqytetasit, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm, në të kundërtën duhet të presin ndeshjen e fundit ndaj Demir-it. Por, nga skuadra turke u mposhtën javën e kaluar me rezultat 86:59. Prishtina në takimin e parë në Belgjikë fitoi 74:72, me dy pikë të Lis Shoshit në sekondat e fundit, kurse si vendas mundën dy herë Khimik, 76:65 dhe 78:59, për të qenë lidere e grupit.

Të mobilizuar maksimalisht

 Kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi ka thënë se përballja e sotme është vendimtare. "Kur jemi vendas dhe para 'Plisave', gjithmonë jemi optimistë për rezultate pozitive. Ne i kemi befasuar si skuadër mysafire dhe shpresojmë që të fitojmë përsëri. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, si për ne, ashtu edhe për skuadrën belge. Ne jemi shumë optimistë se do të fitojmë dhe do të kualifikohemi tutje. Nëse nuk arrijmë rezultate pozitive sonte, atëherë do të kemi shumë vështirë, pasi në garë hyn edhe Demir, që me një fitore në Belgjikë do të na vështirë- sonte shumë punët neve. Pastaj duhet të fitojmë ndaj skuadrës turke me 30 pikë dallim, që është shumë e vështirë. Andaj kjo ndeshje është vendimtare për ne. Nëse fitojmë kualifikohemi 100 %, kurse ndeshja e fundit vendos se kush do të jetë në vendin e parë", deklaroi Azemi në konferencën për media. Bardhekaltrit janë mobilizuar maksimalisht për këtë sfidë, derisa u kanë bërë thirrje edhe tifozëve që të vijnë në numër sa më të madh për të përkrahur ekipin, në këtë ndeshje që e kanë vlerësuar si historike.

Fitore dhe kualifikim

 Optimist është shprehur edhe Dardan Berisha, i cili gjithashtu beson në fitore dhe kualifikim. "Ne do të angazhohemi për një rezultat të mirë. Ata janë në formë të mirë. Kjo ndeshje është e rëndë- sishme, si për ne, ashtu edhe për ata, andaj nuk do të jetë aspak lehtë. Për ne kjo është ndeshje historike, pasi me fitore kualifikohemi tutje. Presioni është i madh në dy anët, si tek ata, ashtu edhe te ne. Ne duhet të tregojmë cilësitë tona, të tregojmë lojën që dimë të bëjmë, prandaj jemi shumë optimistë për këtë takim. Nëse fitojmë do të kualifikohemi, prandaj është shumë me rëndësi për ne, kurse e rëndësishme edhe ndeshja e ardhshme ndaj Demir-it për vendin e parë. Ne jemi në formë të mirë, dhe duhet të bëjmë lojën tonë. Pas humbjes në Turqi do të tentojmë të kthehemi përsëri. Presim që të ketë shumë tifozë dhe palestra të jetë e mbushur, duke ditur rëndësinë e kësaj sfide, jo vetëm për ne, por edhe për basketbollin e Kosovës, pasi do të ishte kualifikim historik", përfundoi Dardan Berisha. Përveç Prishtinës, sonte në garat evropiane do të luajë edhe Bashkimi, që paraqitet në Ligën Ballkanike. Prizrenasit presin Levskin, takim që zhvillohet nga ora 19:30. Portokallinjtë ende janë në kërkim të fitores së parë, pasi në dy takimet e para pësuan humbje.

(Kosova Sot)

2 orë e 11 minuta më parë