Duka-Rama takim në Kryeministri për ndeshjen Shqipëri-Serbi

  • 28 July 2015 - 22:47
Duka-Rama takim në Kryeministri për ndeshjen Shqipëri-Serbi

Ndeshja e kthimit “Shqipëri-Serbi”, e cila do të zhvillohet më 8 Tetor ka shtyrë FSHF dhe qeverinë shqiptare që të organizojnë një takim me dyer të mbyllura në Kryeminstri për të diskutuar mbi masat e sigurisë që do të ndërmerren sa i përket mbarëvajtjes së sfidës. Në takim mendohet se  kanë qenë të pranishëm përvec presidentit Duka dhe kryeministrit Rama gjithashtu dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ajo e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe kreu i SHISH, Visho Ajazi, të cilët kanë diskutuar gjerësisht për masat që do të merren për sigurinë e kësaj sfidë.

Sipas burimeve të “Sport News”, në takim është hedhur ideja që personat që do të pajisen me biletë të paraqesin dhe kartën e tyre të identitetit, ndërsa dhe në stadium, tifozët të paraqesin jo vetëm biletat por dhe kartat e identitetit. Këto masa synohen të merren për të evituar hyrjen në impiant të individëve me rrezikshmëri të lartë dhe të atyre me precedentë penalë. Ndërkohë kryeministri serb Aleksandër Vucic, ka konfirmuar për “Sueddeutsche Zeitung” se do të vijë në Shqipëri për ndeshjen e kthimit të kualifikueseve të Euro 2016.