Skuadrat dhe lojtarët më të pafat në Serie A

  • 08 November 2017 - 18:24
Skuadrat dhe lojtarët më të pafat në Serie A

Seria A është një nga kampionatet më të forta të Evropës, që shquhet për rivalitetin e ashpër mes skuadrave. Aktualisht në krye të klasifikimit qëndrojnë Napoli dhe Juventusi, por ekziston edhe një renditje tjetër. Bëhet fjalë për atë të skuadrave më të pafata që ka të bëjë me shtyllat dhe traversat të goditura këto 12 javë të parë të kampionatit.

Vendin e parë e mban Roma e trajnerit Di Françesko, që ka goditur plot 11 herë shtyllën dhe traversën. Vendin e dytë e mban Interi me 8 të tilla, ndërsa pas tyre ndodhen Juventusi me 7 shtylla, Fiorentina dhe Lazio me 6 dhe Napoli me 5.

Ndërkohë, lojtari më i pafat dhe që ka dhënë kontributin më të madh për kryesim e Romës është Edin Dzeko. Siç ka treguar portali zyrtar i Lega Serie A, sulmuesi boshnjak ka goditur katër herë shtyllat e portës kundërshtare në 11 ndeshje të luajtura në kampionat.

Mbrapa tij është Immobile me tre dhe një listë e gjatë lojtarësh që përfshin mes të tjerëve Ivan Perisic dhe Matias Vecino (Inter), Douglas Costa, Paulo Dybala dhe Gonzalo Higuain (Juventus), Nikola Kaliniç (Milan), Piotr Zielinski (Napoli) dhe Aleksandar Kolarov me Diego Perottin e Romës.

Në fund, Inter-i i Luciano Spalletit, që mban vendin e dytë në renditjen e ekipeve pa fat në Serinë A, nuk mund të ankohet për sa i takon shtyllave të pësuara. Bashkë me Beneventon, milanezët janë skuadra që është ndihmuar nga shtyllat në shtatë raste.

Aty ku Handanovic nuk ka arritur dot, ka shkuar fati i mirë, që ka ndihmuar zikaltrit të shmangin golin. Pjesë e kësaj liste janë edhe Lazio, Napoli, Sampdoria dhe Sasuolo, që ndjekin milanezët me 6 shtylla të pësuara. Në fundin e renditjes së skuadrave me fat ndodhte Juventusii i Allegrit, e ndihmuar vetëm 1 herë nga shtyllat e portës së mbrojtur nga Bufon.

(Kosova Sot)