“Grumbullimi po na shërben të njihemi më mirë, presim ndeshje të bukur kundër Turqisë”

  • 11 November 2017 - 15:17
“Grumbullimi po na shërben të njihemi më mirë, presim ndeshje të bukur kundër Turqisë”

Përfaqësuesja shqiptare është në ditën e 6-të të stërvitjes, në Antalia ku po përgatitet për ndeshjen miqësore të ditës së hënë përballë Turqisë.

Trajnerit Panucci i është larguar edhe një lojtar ditën e premte nga grupi, Thomas Strakosha, i cili ka pasur probleme fizike dhe si rrjedhojë është lënë i lirë të rikthehet tek Lazio, ndërkohë që i është bashkuar grupit, autori i golit të kombëtares shpresa, Ylber Ramadani.

Në konferencën për shtyp të së shtunës Elseid Hysaj e ka vlerësuar shumë këtë javë stërvitore, pasi po i shërben ekipit për t’u njohur më shumë me trajnerin dhe anasjelltas.

“Besoj që do të jetë një ndeshje e bukur, edhe pse luajmë kundër një kundërshtari të vështirë. Kjo është një ndeshje që kemi pasur më shumë kohë të njohim njëri-tjetrin, të njohim më tepër edhe trajnerin. Besoj që do të jetë një ndeshje kontrolli, për të kuptuar ku jemi me grupin tonë. Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi Turqinë e njohim të gjithë, që ka lojtarë të një niveli shumë të lartë”, tha Hysaj.

Ndërkohë që sa i përket karrierës në klub, mbrojtësi i Napolit shprehet i bindur se ka ardhur momenti të shpallen kampionë, në Itali.

“Të fitojmë kampionatin do të jetë diçka shumë e mirë, pasi Napoli e pret prej 30 vitesh. Besoj se ky vit është një mundësi e mirë për ne, pasi jemi gati dhe mendoj që do t’ia dalim”, u shpreh shkodrani i Napolit.

(Kosova Sot)