Drenica "mërdhin" PRISHTINËN

  • 18 November 2017 - 08:49
Drenica

J ava e 15-të e Vala Superligës së Kosovës në futboll, ashtu siç e kishim paralajmëruar se mund të sjellë shumë të papritura edhe ndodhi. Prishtina ka marrë një "shuplak" shumë të madhe nga Drenica pasi është mposhtur me rezultat 2:0, për ta shënuar kështu disfatën e dytë me radhë dhe për të qitur në pah shumë probleme që ka skuadra bardhekaltër. Në anën tjetër Besa më humbjen ndaj Flamurtarit përfundimisht dëshmoi se kjo skuadër nuk është kërkah dhe se shumë lehtë në edicionin e ri mund ta shohim në një kategori më poshtë. Në anën tjetër takimi i tretë i kësaj jave i zhvilluar në Gjakovë ndërmjet Vëllazimit e Gjilanit, nuk kishte sesi të sjellë fitore për vendasit pas gjithë atyre problemeve që u shfaqën gjatë javës së kaluar, madje deri në atë masë sa trajneri Ismet Munshi dha dorëheqje për t'ju kthyer skuadrës vetëm disa orë më vonë. Ndeshja Vëllaznimi - Gjilani nuk ka prodhuar fitues, rezultat ky që deri diku i shkoi përshtati skuadrës së Arbnor Morinës.

Prishtina po vuan

Humbja e djeshme e Prishtinës përveçqë ia rrezikon tashmë edhe vendin e dytë, ajo vuri në pah shumë mangësi që ka skuadra bardhekaltër. Loja e saj nuk kishte kurrfarë fizionomie dhe se organizmi në fushë linte shumë për të dëshiruar. Sigurisht që mungesat po e bëjnë të vetën, por një skuadër e madhe që pretendon titullin e kampionit assesi nuk duhet të varët nga një ose 2 lojtarë. Bardhekaltrit duken në alarm pas kësaj humbjeje dhe kanë paralajmëruar se ndeshjet e stinorit vjeshtor do të mundohen t'i mbyllin me sa më pak humbje, në mënyrë që në janar të sjellin ndryshime të mëdha në ekip. Sa i përket ndeshjes ajo filloi me një mbizotërim të mysafirëve nga Drenica, të cilët edhe pse përballë e kishin Prishtinën nuk dukeshin aspak inferior. Pas disa rasteve të mira shënimi të krijuar na sulmuesit kuqezi, në minutën e 21-të kur Abazi pas një aksioni shumë të bukur shënon në portën e Visar Bekajt, 1:0. Në 45 minutëshin e dytë Prishtina u mundua të bëjë diç më shumë për ta barazuar rezultatin, por një minuta para se të mbyllet ndeshja ka ardhur një tjetër goditje për ta, kur ka realizuar gol Genc Hamiti për rezultatin 2:0. "Prishtinës i mungoi cilësia si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, për të bërë diçka më shumë, për të bërë lojën që ne e konceptojmë. Sigurisht ndikim kanë edhe mungesat, sepse nuk kisha zgjedhje në bankë për të reaguar", ka thënë shumë i zhgënjyer pas ndeshjes trajneri bardhekaltër Mirel Josa, i cili po beson se shumë shpejt do ta gjejë formulën për të dalë nga kjo situatë. "Do të mundohemi të përmirësohemi në ndeshjet e ardhshme. Do t'i luajmë edhe këto ndeshjet e mbetura dhe më pas do të shohim çfarë duhet bërë", ka thënë Josa. Në anën tjetër trajneri i Drenicës, Bekim Shotani është parë në humor shumë të mira, pasi për të është fitorja e dytë rresht ndaj dy rivalëve më të mëdhenj në Kosovë, ku fillimisht e mposhti Trepçën'89 dhe tash Prishtinën.

Besa në krizë

 Humbja e Besës nga rivali i drejtpërdrejtë në luftë për mbijetesë Flamurtari mund të lë pasoja shumë të mëdha te skuadra pejane, e cila duhet pranuar që është duke kaluar në momentet më të vështira që nga paslufta. Largimi i gjithë futbollistëve të ekipit të parë të cilët po e bojkotojë lojën për shkak të mospagesës, ka bërë që klubi të mbetet në duart e juniorëve dhe është e natyrshme që ata nuk kanë forcë t'u kundërvihen rivalëve të tyre. Kështu ndodhi edhe dje kur Besa me shumë lehtësi u mposht nga Flamurtari me rezultat 3:1, për t'u futur kështu në një zonë shumë të ftohtë e cila nuk u siguron rehati. Në anën tjetër kuqezinjtë e Prishtinës pas kësaj fitoreje më qetë mund ta presin ndeshjen e radhës pasi ngadalë kanë nisur ta marrin vetën edhe pse problem të madh po u paraqet dënimi nga FFK-ja, e cila ia ka pezulluar fushën për katër ndeshje. Ballafaqimi i fundit për ditën e djeshme ishte ai në Gjakovë ku u ndeshën Vëllaznimi dhe Gjilani. Të dyja skuadrat deri tash kanë treguar lojë shumë të fortë dhe kështu ndodhi edhe dje, por për fat të keq shikuesit për 90 minuta nuk patën rastin të shohin asnjë gol. Gjithsesi të Vëllaznimi u vërejtën telashet e fundit që kishin në organizim, derisa Gjilani si gjithmonë po shfaq vështirësi të shënojë fitore si mysafirë, i cili duket se kur luan jashtë fushës është më shumë i përqendruar të mos pësojë humbje sesa të fitojë.

Sot tri ndeshje

Java e 15-të mbyllet me tri ndeshje që luhet sot e ku pa dyshim vëmendja do të jetë te superpërballja Llapi - Feronikeli. Lideri i tabelës pas humbjes së Prishtinës do të kërkojë me çdo kusht fitoren në mënyrë që ta rrisë distancën në renditjen tabelare. Në anën tjetër "Nikli" drejt Podujevës, udhëton pas një serie të mirë të rezultateve dhe normalisht në këtë ballafaqim do të kërkojë pikë, në mënyrë që t'i heq të gjitha dilemat se kjo skuadër sivjet ka telashe. Një ballafaqim që pritet me kureshtje është ai në Gjilan ku ndeshën Drita e Liria dy skuadra këto që po luftojnë për titullin e kampionit. Sfida e fundit që cilësohet të jetë paksa më e lehtë është ajo në Mitrovicë ku kampioni aktual Trepça'89 e pret skuadrën e fundit në tabelë, Vllazninë e Pozhoranit, skuadër kjo që duket se tashmë i ka humbur gjitha shpresat për të mbijetuar.

VALA SUPERLIGA

Prishtina - Drenica 0:2

Flamurtari - Besa 3:1

Vëllaznimi – Gjilani 0:0

SOT

 Drita – Liria

 Trepça'89 - Vllaniznia

Llapi - Feronikeli

Ndeshjet nisin nga ora 13:00.