Kampionati po nxehet, AKUZAT PO RRITEN

  • 21 November 2017 - 09:10
Kampionati po nxehet, AKUZAT PO RRITEN

Liria e Prizrenit ka pësuar humbje në Gjilan përballë Dritës, mirëpo shumë më e dhimbshme për skuadrën prizrenase ishin ngjarjet që i përjetuan atje sesa pikët e humbura. Skuadra e Lirisë është ankuar në gjyqtarin kryesor Besfort Kosumi të cilin e bën fajtorin kryesor për humbje, derisa ka përmendur edhe tensionet në tribuna. Me të njëjta akuza ka përfunduar edhe ndeshja Llapi - Feronikeli që nuk prodhoi fitues. Trajneri i Llapit Tahir Batatina akuzoi gjyqtarin Genc Nuza që nuk ka qenë në nivelin e duhur. Padyshim këto akuza mund ta ndezin edhe më shumë garën kur kanë mbetur edhe 2-3 ndeshje deri në mbyllje të stinorit vjeshtor. Për trajnerin e mirënjohur kosovar Bekim Shotani, i cili aktualisht është duke e udhëhequr Drenicën, për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se do të ishte shumë më mirë që kolegët e tij të merren me punët e tyre sesa të akuzojnë dike tjetër për mungesë të rezultateve. Ajo që po e bën të veçantë këtë kampionat është fakti se diferenca e pikëve është shumë e ngushtë, derisa shumë klube janë duke e pretenduar kreun e tabelës dhe kjo po bën që dinamika e garave të jetë shumë e madhe.

Shotani këshillon kolegët

Trajneri vushtrrias, Bekim Shotani, ka thënë se kjo garë që po bëhet sivjet në futbollin e Kosovës, nuk mbahet mend të ketë ndodhur më herët, kështu që si trajnerët, si klubet ashtu edhe lojtarët duhet të mobilizohen në mënyrë që gara të ketë rrjedhë të drejtë dhe assesi të devijojë. "Secila xhiro po është më e vështirë sesa tjetra dhe deri më tash befasi nuk po kemi", ka thënë Shotani për gazetën "Kosova Sot", duke folur më pas për akuzat e trajnerëve në adresë të gjyqtarëve. "Mendoj se ne si trajnerë kemi gabime më të mëdha sesa gjyqtarët. Ne duhet të merremi më shumë me 11 lojtarët që kemi në fushë dhe t'i përmirësojmë gabimet që po na ndodhin gjatë ndeshjes. Gjithsesi, akuzat ndaj gjyqtarëve nuk do të ndalën kurrë. Nëse gjyqtari gabon një herë në si trajnerë gabojmë 10 herë gjatë lojës", ka thënë Shotani për gazetën "Kosova Sot", sipas të cilit për ta mbajtur kampionatin nën kontroll trajnerët duhet të jenë më të vëmendshëm se çka deklarojnë pas ndeshjes. "Ma mirë është mu marrë ne trajnerët me veten tonë dhe t'i përmirësojmë gabimet tona. Nëse veprojmë kështu suksesi nuk do të mungojë. Rezultatet assesi nuk duhet pritur nga gjyqtarët, por nga puna", ka përfunduar Bekim Shotani.

Ankohet Liria

Sivjet njëra nga skuadrat që ka bërë bukur shumë investime është Liria. Skuadra prizrenase ka sjellë një frymë të re në futbollin e Kosovës këtë fal trajnerit Blendi Shkëmbi, i cili ka arritur të krijojë një klimë nga puna që është bërë te Skënderbeu i Korçës dhe kjo po vërehet me lojën e treguar. Liria është parë shumë e zhgënjyer me atë që ndodhi në humbjen ndaj Dritës me rezultat 4:3. "Liria e dominoi lojën, ndonëse ishte e detyruar të luante edhe kundër pengesave të gjyqtarëve (të prirë nga Kosumi e Berisha) që shpesh ishin kontrovers, për më tepër tendencioz. Derisa Liria po e kontrollonte ndeshjen, në kohën shtesë, sërish gabon Besfort Kosumi që nuk dha faull për Lirinë. Madje, ai edhe i fyente lojtarët tanë. Ishte një ndeshje e rëndë pasi që pos arbitrimit tendencioz pati edhe sulm me gurë ndaj tifozëve prizrenas, 'Arpagjikëve', në përfundim të pjesës së parë. U desh që të ndërhyjë Policia për ta qetësuar situatën. 'Arpagjikët' respektuan marrëveshjen për ta lëshuar stadiumin në Gjilan para përfundimit të ndeshjes, por ata duke dalë nga qyteti u sulmuan me gurë dhe u dëmtua autobusi i tyre, duke iu thyer xhamat", shkruan në reagim, klubi prizrenas.

(Kosova Sot)