Debutim ëndrrash për Shalën, gol në fitoren e Liberecit në Evropë

  • 30 July 2015 - 21:21
Debutim ëndrrash për Shalën, gol në fitoren e Liberecit në Evropë

Herolind Shala e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij tek skuadra e re Slovan Liberec.

Mesfushori i talentuar i Kombëtares së Shqipërisë, Herolind Shala, ka treguar potencialin që ka në kuadër të Ligës së Evropës, duke shënuar golin e tij të parë në karrierë në këtë garë.

Ylli i Shqipërisë ditë më parë u huazua nga Sparta e Pragës te Slovan Libereci dhe menjëherë ka dëshmuar se është ndër talentet më të mëdhenj shqiptar duke shënuar golin e fitores për ekipin e tij të ri.

Slovan Liberec arriti fitore të ngushtë me rezultat 2-1, përballë skuadrës izraelite Shmona, ndërsa Shala realizoi golin e dytë në këtë takim në minutën e 84-të, duke sjellë një gëzim të madh tek tifozët vendas.

Që nga inkuadrimi i tij në këtë takim, Shala ishte dukshëm lojtari më i mirë i ndeshjes, duke detyruar kundërshtarët të shkaktojnë shtatë ndërhyrje të palejueshme në të dhe duke detyruar gjyqtarin t’i shpërndajë dy kartonë të verdhë.

Me këtë ndeshje, Herolindi tregoi se kishte nevojë për besim dhe shpresojmë që tani e tutje shkëlqimi i tij do të vazhdoj edhe për shumë ndeshje pasi ai i nevojitet Shqipërisë në ndeshjet finale për kualifikimet e kampionatit evropian ‘Francë 2016’.