Hallaçi: Ndërprerja e ndeshjes, vendim i gabuar

  • 30 July 2015 - 22:31
Hallaçi: Ndërprerja e ndeshjes, vendim i gabuar

Shefi i klubit të Kukësit, Jonuz Hallaçi shprehu keqardhjen për ngjarjet e ndodhura në ndeshjen e ndërprerë të Europa League mes Kukësit dhe Legias së Varshavës. Në një prononcim të dhënë për mikrofonin e SuperSport, ai fillimisht kërkoi ndjesë për shfaqjen e shëmtuar të “Qemal Stafës”.

“Fjala e parë në këtë mes është t’ju kërkoj ndjesë gjithë tifozëve të Kukësit dhe të gjithë shqiptarëve. Nje grup tifozesh i prishi bukurinë kesaj feste. Ata duhet t’i kerkojnë ndjesë presidentit Gjici që është përpjekur të ngrejë emrin e Kukësit në Europë”.

Përfaqësuesi zyrtar i klubit kuksian më tej kundërshtoi vendimin për të ndërprerë ndeshjen, duke ia adresuar fajin pjesërisht tifozëve të Legias por edhe forcave të rendit.

“E konsideroj ekstrem vendimin për të ndërprerë ndeshjen. Tifozët polakë kishin ardhur për të minuar këtë ndeshje dhe ia arritën. Forcat e policisë lejuan që të hyjnë tifozë me shishe. Ata që hodhën mjete nuk ishin tifozë të Kukësit, policia i njeh se kush janë por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim”.