Spektakël në tribuna, LLOÇ NË FUSHË

  • 04 December 2017 - 09:21
Spektakël në tribuna, LLOÇ NË FUSHË

LLAPI, EDHE ZYRTARISHT SHPALLET KAMPION VJESHTOR, PRANVERA PRITET ME KËRSHËRI

Stinori vjeshtor mbyllet me pamje shumë të këqija

Është mbyllur në mënyrën më të keqe të mundshme stinori vjeshtor i Vala Superligës së Kosovës në futboll, pasi me të përfunduar ndeshjet lojtarët nuk dihej në çfarë ngjasonin dhe cilës skuadër i përkisnin për shkak që ishin tërësisht të mbuluar nga balta. Përfundimisht, infrastruktura në vendin tonë dëshmoi se është armiku kryesor i futbollistëve dhe ngritjes së futbollit. Përkundër faktit se në ndeshjet e javës së 18-të, të fundit për stinorin vjeshtor, ballafaqoheshin ndërmjet vete skuadrat kryesore në luftë për titull, shfaqjet në fushë nuk ishin të kënaqshme, pasi balta ishte kundërshtari më i madh i lojtarëve, madje edhe sesa vetë rivali që kishin përballë. Tri sfidat kryesore të kësaj jave u mbyllën pa fitues, madje edhe pa gola, pasi ishte e pamundur të shënohet në ato fusha. E mira e vetme e kësaj jave ishin tribunat, ku nuk mungoi spektakli dhe interesimi i tifozëve, i cili në masë të madhe e mbulonte dështimin e lojtarëve në fushë. Llapi pas 18 ndeshjeve të zhvilluara, pjesën e parë të kampionatit e mbylli në pozitën e parë duke u shpallur kampion vjeshtor, ndërsa ndjekësit më të mëdhenj të saj mbesin, Prishtina, Feronikeli, Drita e Trepça'89.

"El Clasico" pa fitues

Edhe në të kaluarën derbi kryesor i futbollit kosovar ndërmjet Gjilanit e Dritës ka ndodhur të mos japë fitues, siç ndodhi këtë herë, mirëpo, për dallim nga e kaluara këtë herë gjërat dukeshin krejtësisht ndryshe. Ishte për gjynah të shihen lojtarët duke luftuar në atë baltë që ishte në stadiumin e Gjilanit. Përkundër angazhimit maksimal të lojtarëve për t'i kënaqur atë numër të madh të tifozëve në stadium, ishte pothuaj e pamundur të tregosh vlera, pasi topi e kishte të vështirë të qarkullonte. Sido që të jetë, edhe këtë herë tifozët "Skifterët" e Gjilanit dhe "Intelektualët" e Dritës ishin për duartrokitje, të cilët krijuan spektakël në fushë dhe për asnjë moment nuk i lanë vetëm lojtarët. Sa i përket ndeshjes, barazimi duhet pranuar që nuk i konvenonte asnjërës skuadër, e sidomos Dritës, e cila kishte rastin të përfundonte në pozitën e dytë. "Para ndeshjes kam thënë se në këtë fushë nuk ka lojë, ka vetëm muskuj, angazhim dhe forcë. Mirëpo, edhe përkundër kësaj fushe, them se u tregua lojë e pëlqyer. Ajo që është me rëndësi ishte tempi madh i lojës derisa them se barazimi është real", ka thënë pas ndeshjes trajneri i Gjilanit, Arbnor Morina. Në anën tjetër, trajneri i Dritës, Bekim Isufi e ka akuzuar Gjilanin që ka luajtur vetëm për barazim dhe nuk ishte i interesuar shumë për futboll të bukur. "Mendoj se terreni ishte pengese për ne, e jo për Gjilanit. Ata luajtën për barazim. E prishën hijeshinë e kësaj loje. Kemi pasur shumë raste në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë u dëmtua terreni dhe nuk mundëm të luajmë. Ata luajtën dhe priten që prej gabimeve të arrijnë të rasti dhe e kishin një. Mëkat për këta lojtarë që nuk e morën maksimumin në këtë ndeshje", ka thënë Bekimi Isufi.

Llapi feston

Përkundër që nuk arriti të marrë pikë të plota në fushën e vet përballë Trepçës'89, Llapi në fund ka festuar, pasi ka arritur ta sigurojë titullin e kampionit për stinorin vjeshtor. Skuadra e trajnerit Tahir Batatina, kishe një mundësi të artë të shkë- putet në pikë nga ndjekësit e saj, por ja që u desh të pajtohet me vetëm një pikë, madje shumë lehtë ka mundur edhe të humbas, pasi mysafirët në minutat shtesë të ndeshjes kishin një mundësi të artë shënimi, por futbollisti Rron Broja dështoi nga një pozitë ideale. Edhe ky takim sikur ai në Gjilan u mbyll pa gola. "Kundër kampionit aktual Trepçës'89, ishte ndeshje e mirë. Kemi qentë të vëmendshëm me këtë. E dhamë maksimumin dhe loja ishte e mire me aksione të bukura. Ajo që është e rëndë- sishme për futbollin kosovar është se loja kishte intensitet të lartë. Fati nuk ishte në anën tonë. Një gol e shënuam, por nuk u pranua. Mendoj që ishte edhe një penallti në pjesën e dytë, por që nuk u akordua. Këto detajet e vogla e vendosin derbin, penallti dhe goli do ishte ndryshe. Gjithsesi, jemi të kënaqur me titullin e kampionit vjeshtor, por u desh të kem më shumë pikë", ka thënë Tahir Batatina. Në anën tjetër, Trepça'89 duhet pranuar se sivjet nuk është skuadra e edicionit të kaluar, dhe kjo për shkak të organizimit. Këtë më se miri e dëshmoi trajneri Gani Sejdiu, i cili nuk kishte udhëtuar fare për Podujevë pas disa mosmarrëveshjeve që kishte me klubin. Skuadra mbeti në duart e ndihmësit të tij Sabit Osmani, i cili nuk ka dashur të komentojë vendimin e Sejdiut. "Për Ganiun duhet të flisni me kryesinë. Sa i përket ndeshjes, pjesa e parë ishte shumë e mirë, fitorja ka qenë imperativi ynë, por edhe barazimi është pjesë e lojës. Realisht nuk jemi të kënaqur me pikët në vjeshtë. E kemi pasur edhe fatin kundër. Gjithsesi se duhet të përforcohemi dhe të ecim tutje", ka thënë Sabit Osmani pas ndeshjes me Llapin.

Feronikeli e Prishtina në paqe

Një ndeshje e ngjashme si Gjilani - Drita e Llapi - Trepça'89 është zhvilluar edhe në Drenas ku u ndeshën dy skuadra tjerë në luftë për titull, Feronikeli e Prishtina, por që edhe kjo ndeshje nuk dha as fitues, e as gola. Prishtina ishte e koncentruar mos të humbiste dhe të befasonte kundërshtarin me kundërsulme, çka tre herë lëshuan raste të qindpërqindta, kurse Feronikeli ishte skuadër që mbizotëronte lojën me mbajte të gjatë të topit dhe kryesisht me gjuajtje të rrezikshme, por portieri prishtinas ishte figura më e ndritshme e bardhekaltërve. "Të dy skuadrat u munduan të luajnë futboll e ku Feronikeli ishte skuadër që luan mirë futboll dhe është nga skuadrat e pakta që luan mirë futboll në Kosovë. Nuk jam i kënaqur nga pozita e dytë e Prishtinës, sepse Prishtina ka pretendime më të mëdha sesa vendi i dytë", ka thënë trajneri i Prishtinës, Mirel Josa. Në anën tjetër, trajneri i ardhur nga Maqedonia te Feronikeli, Zekerija Ramadani ka thënë se ekipi i tij meritoi më shumë pasi luajti më mirë. "Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, sepse në këtë fushë me këto kushte të vështira dhanë maksimumin. Mendoj se nuk e patëm fatin nga ana jonë, ndoshta në Mitrovicë nuk meritonim më tepër se një pikë, por këtë herë besoj dhe jam i bindur që meritonim më tepër, sepse të mbash Prishtinën gjatë 90- minutave në zonën e saj duhet shumë forcë, shumë karakter dhe këtë e treguan futbollistët e "Niklit"", ka thënë Zekerija Ramadani. Në takimet e tjera të kësaj jave, Vëllaznimi e ka mposhtur Besën në Pejë me rezultatin 2:1, ndërsa tri pikë shumë të mëdha ka marrë Drenica, e cila e ka mundur Lirinë me rezultatin 1:0. Në ballafaqimin e skuadrave për mbijetesë, Vllaznimi e ka mposhtur Flamurtarin me rezultat 2:0.

(Kosova Sot)