Prishtina e pakonkurrencë

  • 04 December 2017 - 09:28
Prishtina e pakonkurrencë

BARDHEKALTRIT VAZHDOJNË ME REKORD 100 %  

Kryeqytetasit po 'shkelin gjithçka para vetes'

Skuadra e Sigal Prishtinës nuk po ka konkurrencë në këtë edicion në garat vendore. Bardhekaltrit kanë shënuar 11 fitore në 11 ndeshje të zhvilluara, duke qenë skuadra e vetme me rekord 100 % në Superligën e Kosovës në basketboll. Prishtinasit në ndeshjen e fundit mposhtën Trepçën me rezultat 123:61, për të dëshmuar superioritetin ndaj skuadrave tjera të elitës, që ndodhen në krizë, kurse as Bashkimi nuk po arrin t'i bëjë ballë kryeqytetasve.  

Nuk do të ketë problem për trofe

Nga Prishtina së fundi u largua Dardan Berisha, derisa pritet të largohet edhe Drilon Hajrizi, i cili ka qenë i suspenduar nga FBK-ja për garat vendore. Te bardhekaltrit gjithashtu mund të ketë edhe largime tjera, megjithatë, kjo nuk po ndikon në rezultatet e tyre në garat vendore. Trajneri Blerim Krasniqi thotë se Prishtina nuk do të ketë problem të mbrojë titullin e kampionit, duke parë edhe skuadrat tjera."Normalisht që Berisha dhe Hajrizi e kanë bërë diferencën në Ligën tonë dhe nuk është e lehtë për një skuadër që të mos i ketë dy lojtarë cilësorë në ekip. Posaçërisht pa Dardanin, ku të gjithë e dimë se për çfarë lojtari bëhet fjalë. Një lojtar i cili para disa vjetësh e ka kualifikuar Poloninë në Kampionatin Evropian dhe kishte shkëlqyer në ndeshjet e Evropianit me fanellën e Polonisë. Mirëpo, duke u bazuar në ligën tonë të dobët, nëse Sigali arrin që t'i mbaj këta lojtarë që i ka, atëherë nuk do të ketë problem të mbrojë titullin e kampionit dhe të fitojë Kupën e Kosovës në basketboll", ka thënë Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Bardhekaltrit gjithashtu kanë marrë pjesë në garat ndërkombëtare, megjithatë nuk kanë pasur suksesin e dëshiruar. Në kualifikime të Ligës së Kampionëve nuk arritën të kalojnë në xhiron tjetër, kurse në grupet e FIBA Europe Cup, pas tri fitoreve radhazi, pësuan dy humbje, dhe do të ketë shumë vështirë që të kualifikohen në rrethin tjetër, edhe pse është viti i tretë që po paraqiten në këtë ligë. 

Klubet tjera, larg nivelit të Prishtinës

Skuadrat tjera të Superligës po përballen me shumë probleme dhe nuk po arrijnë t'i bëjnë ballë prishtinasve. Krasniqi shton se gjërat mund të ndryshojnë vetëm nëse përforcohen skuadrat tjera."Duke u bazuar në ekipet tjera, që nuk janë konkurrente për momentin, atëherë nuk besoj se Prishtina do të ketë problem për trofe. Gjërat mund të ndryshojnë nëse Bashkimi bën përforcime dhe përforcime me plot kuptimin e fjalës, pra të marrë lojtarë shumë cilësorë nga jashtë, sidomos me një lojtar në pozitën e qendrës. Përndryshe Sigal Prishtina ka mundësinë e rotacionit më të madh, pasi ka bankën rezervë më të mirë në kampionat, dhe me lojën që është duke e bërë, nuk besoj se do të ketë problem deri në fund të kampionatit", ka theksuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Prishtina të gjitha fitoret e deritanishme i ka arritur me fitore bindëse, duke dominuar pa problem në elitën e basketbollit e Kosovës.

(Kosova Sot)