Vështirë për bardhekaltrit - Sport - Kosova Sot
Vështirë për bardhekaltrit

Vështirë për bardhekaltrit

KAMPIONËT E KOSOVËS DUHET TË FITOJNË ME 28 PIKË DALLIM 

Takimi ndaj Demir-it në FIBA Europe Cup 

Kampionia e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina ishte afër që të kualifikohej nga grupet e FIBA Europe Cup, por tashmë gjasat janë pakësuar dukshëm. Bardhekaltrit e nisën edicionin në këtë garë me tri fitore radhazi, derisa më pas pësuan dy humbje dhe tashmë do të kenë shumë vështirë që të kualifikohen tutje. Prishtina duhet që të fitojë me 28 pikë dallim ndaj Demir-it, ose të fitojë me çfarëdo rezultati dhe Khimik të fitojë ndaj Mons, por kjo do të jetë e vështirë, pasi Khimik ka pesë humbje në pesë ndeshje, derisa Mons, tri fitore dhe dy humbje. Demir-i ka katër fitore dhe një humbje, kurse në Turqi kishin fituar ndaj bardhekaltërve me 27 pikë dallim. Për më tepër Prishtina do të jetë pa yllin e saj, Dardan Berishën, i cili është larguar drejt Çekisë. 

Zbehen gjasat

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, situatën e Prishtinës e sheh si shumë të komplikuar, derisa thotë se kryeqytetasit do të kenë shumë vështirë që të kualifikohen tutje. "Diferenca prej 28 pikësh është shumë e madhe, ose e paarritshme. Unë mendoj se fitorja do të jetë e mirëseardhur, qoftë ajo edhe nëse është minimale dhe të ketë një paraqitje sa më dinjitoze në ndeshjen e fundit, nëse Mons nuk fiton ndaj skuadrës ukrainase. Prishtina do të ketë shumë vështirë në këtë ndeshje, dhe pas fillimit të përkryer, tashmë do të ketë shumë vështirë", ka thënë Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Ky është edicioni i tretë radhazi që Prishtina po merr pjesë në këtë garë. Në vitin e parë shënuan dy fitore në grup, në vitin e dytë shënuan një fitore në grup, kurse në edicionin e tretë e nisën me tri fitore radhazi, por më pas erdhën dy humbjet, duke vështirësuar në maksimum kualifikimin. Bardhekaltrit për herë të parë këtë edicion morën pjesë edhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por nuk arritën që të depërtojnë në grupe.

Pa yllin e saj

Prishtina në ndeshjen e parë në udhëtim mundi Belfius Mons me rezultat 74:72, kurse më pas dy herë në kryeqytet skuadrën ukrainase, Khimik, 76:65 dhe 78:59. Prishtinasit më pas pësuan 86:59 nga Demir-i në Turqi dhe nga Mons 69:75 në Prishtinë. Kampionët e Kosovës do të kenë edhe më vështirë pa Dardanin. "Duke dikur se nga skuadra e Sigal Prishtinës është larguar lojtari kyç Dardan Berisha dhe duke e ditur se sa i rëndësishëm ka qenë ai për ekipin, prishtinasit do të kenë shumë vështirë. Gjasat e Prishtinës pa të janë më të vogla. Prandaj, shanset që Prishtina të kualifikohet tutje janë pakësuar dukshëm. Sidoqoftë, shpresojmë që të shohim një lojë të mirë, dhe në tribuna të ketë sa më shumë shikues, që të ndihmojnë ekipin e Prishtinës drejt një fitore. Do të jetë shumë vështirë kundër një skuadre siç është Demir-i", ka përfunduar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Për dallim nga garat ndërkombëtare, Prishtina në garat vendore ka dominuar totalisht me 11 fitore në 11 ndeshje. 

(Kosova Sot)

5 orë e 20 minuta më parë
25/06/18