Rashica debuton në Ligën e Evropës

  • 31 July 2015 - 11:58
Rashica debuton në Ligën e Evropës

Talenti i madh kosovar, Milot Rashica, ka debutuar në Ligën e Evropës me skuadrën e tij Vittese në takim ndaj anglezëve të Southampton.
Ylli i ri i Përfaqësueses së Kosovës, është futur në ndeshje në minutën e 60-të, për ta ngjallur lojën e skuadrës së tij Vittese.
Edhe pse Southampton triumfoi me rezultat 3-0, Rashica kishte një paraqitje mjaftë të mirë në këtë takim, duke pasur rast edhe të shënoj gol, por në fund fati ia ktheu shpinën.
Në një prononcim për Telegrafin, djaloshi i artë kosovar, Milot Rashica flet për debutimin e tij në Ligën e Evropës me Vittesen.  “Ishte ndjenjë shumë e mirë që të debutoj në Ligën e Evropës, pasi po ta kthej kokën prapa muaj më parë isha në Kosovë duke luajtur dhe po ndihem mirë që jam këtu”, shprehet fillimisht Rashica duke treguar se nuk kishte emocione edhe pse luante para 40 mijë tifozëve.
“Të them të vërtetën emocione nuk kam pasur fare. Jam pjekur shumë si lojtar dhe po fokusohem vetëm te loja”. Kishe një rast të mirë shënimi? “Dola në një rast shumë të mirë por në fund fati ma ktheu shpinën. Dëshira ishte e madhe që të shënoja pasi ndeshja do të bëhej 2-1 dhe do të mund të ktheheshim në lojë, por fati ma ktheu shpinën. Shpresoj që në ndeshjen kthyese të shënoj”, thotë Rashica për Telegrafin.
Talenti vushtrrias shprehet shumë i kënaqur edhe me pritjen që iu ka bërë në klubin holandez. “Më kanë pritur të gjithë në mirë në klub, duke filluar nga shokët e skuadrës, stafi i trajnerëve dhe zyrtarët e klubit. Fati im që kam ecur mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu”, vazhdon tutje Rashica i cili flet edhe për synimet e tij. “Synimi im është që të luaj në çdo ndeshje me Vittesen dhe të kem suksese me skuadër duke arritur objektivat”, përfundoi Rashica.
Miloti është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe pritet që të luaj në ndeshjen e 6 shtatorit në Prishtinë, ku Kosova do të jetë nikoqire e Burkina Fasos.
Ta mendosh se vetëm një vit më parë 19-vjeçari luante në Kosovë dhe sot është pjesë e Ligës së Evropës, padyshim që është një arritje e madhe.