"Kërcënojnë" Prishtina dhe Trepça'89

  • 06 December 2017 - 09:31

AFATI KALIMTAR PRITET TË SJELLË NDRYSHIME NË DY KLUBET E MËDHA TË KOSOVËS 

Janari, sipas analistëve, do të jetë bukur i nxehtë

Me të përfunduar stinori vjeshtor i elitës së futbollit të Kosovës, kanë nisur edhe zërat për ndryshime të mundshme në klubet kosovare. Duke e parë rivalitetin e madh që mbretëroi këtë stinor, është shumë e drejtë që të priten përforcime në afatin e janarit në mënyrë që skuadrat të jenë më afër objektivave të veta. Shumë prej tyre kanë paralajmëruar përforcime, por në këtë fillim më serioze në këtë aspekt po duken Prishtina dhe Trepça'89. Derisa kampioni aktual Trepça'89, ka nisur të flasë edhe me emra adekuat, Prishtina në këtë aspekt është e heshtur, por gjithsesi, se ka paralajmëruar prurje të reja dhe duket se destinacioni i tyre do të jetë nga Shqipëria. Njohësit e mirë të futbollit kosovar vlerësojnë se disa skuadra e kanë të domosdoshme të bëjnë ndryshime, kjo jo vetëm për të arritur të synimet që kanë, por edhe për ngritje të nivelit të futbollit, pasi përkundër që rivaliteti është i madh cilësia lë shumë për të dëshirua. Ish-futbollisti i njohur kosovar, Ismet Ramushi, ka thënë se ky janar, kur edhe do të jetë afati kalimtar, do të jetë shumë i nxehtë dhe me befasi. 

Prishtina sytë nga Shqipëria

Trajneri i mirënjohur shqiptar, Mirel Josa, i cili sivjet iu bashkua skuadrës më të madhe në vendin tonë, Prishtinës, e ka të qartë se bardhekaltrit duhet medoemos të bëjnë ndërhyrje në ekip nëse dëshirojnë që në pranverë të jenë kampionë të Kosovës. Josa pas ndeshjes me Feronikelin, ku Prishtina nuk mundi të marrë më shumë se një pikë, madje edhe dukej e lumtur për atë pikë, pasi gjatë gjithë kohës ishte e përqendruar në fazën defensive për të mos pranuar gol, ka thënë se në janar do të kërkojë nga drejtuesit e klubit të sjellin risi."Të gjithë lojtarët që janë do të qëndrojnë dhe do të shikojmë mundësin të marrim edhe lojtarë tjerë. Se a do të ketë nga Shqipëria nuk mund të mund të konfirmoj, sepse lojtarët që dua të vijnë duhet të ndihmojnë skuadrën në mënyrë imediate dhe nuk dua lojtarë që duan vetëm rroga dhe të ikin", ka thënë trajneri Josa. Prishtina në afatin kalimtar të janarit bëri shumë ndryshime, duke liruar disa lojtarë më emër, derisa angazhojë disa të rinj, por duket se kontributi i tyre nuk ishte shumë i kënaqshëm, edhe pse skuadra vjeshtën e mbylli në pozitën e dytë me vetëm dy pikë më pak se vendi i parë Llapi. Se çfarë do të bëjë Prishtina mbetet të shihet, por një është e sigurt kështu siç është tash, nuk do të mbetet.

Trepça'89, në Turqi për përgatitje

Menjëherë pas përfundimit të kampionatit drejtuesit e Trepçës'89 kanë bërë analizën e stinorit vjeshtor dhe duke i kujtuar të arriturat në edicionin e kaluar kur u shpallën kampionë, ata assesi nuk mund të jenë të kënaqur me të arriturat e sivjetme. Skuadra mitrovicase këtë stinor ka pasur telashe të mëdha, madje qysh para fillimit të garave, kur nuk u përforcua si duhet dhe pas vetëm 4 xhirove e ndërrojë trajnerin, për ta lënë skuadrën për disa ndeshje në duart e ndihmëstrajnerëve. Më vonë angazhojë të mirënjohurin Gani Sajdiu, por as ky nuk e pati gjatë duke e lënë misionin e tij në gjysmë madje në ndeshjen e fundit të stinorit ku Trepça'89 u ballafaquar me Llapin. Kjo ka bërë që drejtuesit mitrovicas të reagojnë dhe të paralajmërojnë shumë. "Pozita aktuale në tabelë (vendi i 7-të) nuk ka qenë dhe nuk është synim i yni", ka deklaruar presidenti i klubit Abedin Zeka, i cili ka folur për risitë që do t'i kenë në pranverë. "Shumë shpejt do të përcaktohemi edhe për shefin e ri të shtabit teknik. Siç po praktikohet te klubet e mëdha evropiane edhe në fazën e dytë përgatitore do ta zhvillojmë në Turqi", ka thënë Zeka. Nga klubi pritet të largohen emra cilësorë si: Muharrem Jashari, Rron Broja e Florent Hasani pasi ata kanë oferta nga jashtë Kosove, derisa këta pritet të zëvendësohen me lojtarë nga jashtë. Me një fjalë ky janar pritet të jetë shumë i nxehtë dhe me plot befasi.

(Kosova Sot)