Pas Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, në Beograd pritet të ulet edhe Skënderbeu?

  • 31 July 2015 - 14:13
Pas Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, në Beograd pritet të ulet edhe Skënderbeu?

Skënderbeu do të zhvillojë të mërkurën në "Elbasan Arena" ndeshjen e kthimit kundër skuadrës moldave të Milsami Orheit me një avantazh tepër të rëndësishëm të siguruar nga takimi i parë në Moldavi, ku korçarët kampionë të Shqipërisë triumfuan 0-2 falë dopietës së Hamdi Salihit.

Dhe, pavarësisht se kanë mbetur edhe 90 minuta për t’u zhvilluar gjatë javës së ardhshme, falë rezultatit të takimit të parë shumëkush mund të marrë guximin të diskutojë mbi kundërshtarin e ardhshëm të mundshëm të Skënderbeut, edhe pse futbolli është një sport i tillë që duhet pritur deri në vërshëllimën e fundit për ta konsideruar zyrtare një kualifikimin.

Kampionët e Shqipërisë e nisën këtë edicion nga turi i dytë kualifikues, duke anashkaluar të parin për shkak të koefiçentëve të renditjes së klubeve. Në këtë tur, Skënderbeu u përball me Crusaders nga Irlanda e Veriut, ekip të cilin e mposhtën në Korçë me rezultatin 4-1 dhe në Irlandë u mundën 3-2. 

"Uujqërit e dëborës" u kualifikuan më tej, ku në raundin e tretë kualifikues shorti i vuri përballë moldavëve të Milsami Orheit, një ekip modest por që vinte me petkun e kampionit të vendit dhe që sapo kishte eleminuar bullgarët e Ludogorets.

Por turi i ardhshëm pritet të dhurojë kundërshtarë shumë herë më të vështirë. Skënderbeu shmang emra të mëdhenj si: Manchester United, Valencia, Bayer Leverkusen, Sporting Lisbona apo Lazio, por rrezikon të ketë përballë emra të tjerë të njohur të arenës europiane si: Shakhtar Donetsk, Ajax, CSKA Moska, Club Brugge, Monaco, Young Boys, Sparta Praga, Fenerbahçe, Panathinaikos apo Rapidi i Vjenës.

Ndër rivalët e mundshëm, më i vështiri konsiderohet Baseli i shqiptarëve Gashi dhe Xhaka. Por jo më pak e vështirë do të jetë edhe një sfidë e mundshme me Salzburgun e Austrisë, apo me Viktoria Plzen të Çekisë. E vështirë, por jo e pamundur do të jetë një sfidë e mundshme me Celtic Glasgow, APOEL Nikosia apo BATE Borisov, shkruan Portali Albeu. 

Por, le të vijmë në Ballkan, e të përqëndrohemi te disa rivalë të mundshëm: Steaua e Bukureshtit do të duhet të zhvillojë edhe 90 minuta ndaj Partizanit të Beogradit, në Serbi, pas barazimit 1-1 të ndeshjes së parë të luajtur në Rumani. Rumunët konsiderohen një kundërshtar më i vështirë sesa serbët, por me këta të fundit fati mund të na përballë sërish, në të njëjtin stadium ku edhe u ngrit "droni" me flamurin me ikonat e historisë së shtetit shqiptar, Ismail Qemali dhe Isa Boletini.

A mund t'i rezervohet një vend edhe "Skënderbeut" në Beograd? Për këtë duhen pritur jo vetëm 90 minutat e "Elbasan Arena"-s, por edhe 90 minutat e ndeshjes së kthimit në Beograd mes Partizanit dhe Steauas