Plepolli: Po sillemi si amatorë

  • 07 December 2017 - 08:33
Plepolli: Po sillemi si amatorë

Analistët presin ndryshime nëpër klube, por jo shumë cilësore

Pritjet janë të mëdha, mbetet të shihet sa do të realizohen

"Te ne më shumë përforcimet i bëjnë drejtuesit e klubeve sesa trajnerët, por sigurisht që ka edhe klube që bashkëpunojnë me trajnerë. Mirëpo, unë mendoj që klubet fillimisht duhet të përforcohen në shtabet teknike, pasi nuk ushtrohen 30 futbollistë me 2 trajnerë. Kjo tregon që jemi ende amatorë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Arsim Plepolli

Futbolli i Kosovës ka dy vjet që po vepron i barabartë me të gjitha vendet e tjera në arenën ndërkombëtare, mirëpo profesionalizmi te ne nuk po duket askund. Infrastruktura e dobët, e mbi të gjitha problemet e mëdha financiare nëpër klube, sikur nuk po i lënë t'i çelin sytë futbollistët tanë, edhe pse të gjithë thonë se talenti këtu është i madh. Tash kur ka përfunduar edicioni vjeshtor në Vala Superligën e Kosovës në futboll, skuadrat elitare kanë nisur të flasin edhe për përforcime të mundshme. Megjithatë, analistët nuk shohin përforcime aq të mëdha, sa do ta ndryshonin nivelin e futbollit. Njohësit i mirë i futbollit kosovar, Arsim Plepolli ka akuzuar klubet që po veprojnë joprofesionalisht dhe kjo shihet qartë në shtabet teknike, ku nuk punojnë më shumë sesa dy trajnerë, të cilët e kanë të pamundshme t'i menaxhojnë si duhet gjithë ata lojtarë që kanë në dispozicion. 

Lojtarë nga Afrika, sa për numë

Plepolli çuditet kur po i dëgjon klubet se do të sjellin përforcime të mëdha në janar. Sipas tij, shumica e lojtarëve në këtë fazë janë nën kontrata, kështu që është shumë vështirë të gjesh lojtarë edhe cilësorë dhe të lirë në këtë periudhë. "Kam dëgjuar shumë duke u përfolur se ky janar do të sjellë shumë përforcime, por sa do të realizohen në realitet mbetet të shihet. Lojtarët janë nën kontrata, derisa lojtarët nga jashtë kushtojnë dhe ne po e shohim situatën financiare nëpër klube. Pra, e vetmja mundësi u ka mbetur të sjellin nga Afrika, dhe atë sa për ta mbushur numrin", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Plepolli. "Kemi parë gjatë këtij stinori sesi disa klube nuk kanë mundur t'u japin as paga lojtarëve që i kanë, andaj unë nuk e di ku do të gjejnë para për t'u përforcuar. Gjithsesi, lëvizje në këtë periudhë pres nga Prishtina, Llapi, Feronikeli e Trepça'89, të tjerat nuk besoj se kanë buxhet për të sjellë cilësi nga jashtë", ka vlerësuar Plepolli për gazetën "Kosova Sot"

Përfitimet minimale

Sipas ish-futbollistit të njohur, Arsim Plepolli klubet para se të mendojnë për të sjellë lojtarë, duhet të mendojnë për punën profesionale, e cila mund të sillte pastaj edhe përfitime duke transferuar ndonjë lojtar jashtë. Pra, ata duhet t'i përforcojnë shtabet teknike, pasi është e pamundur një klub prej 30 lojtarëve t'i menaxhojnë 2 trajnerë. Kjo, sipas tij, nuk ndodh në asnjë klub profesional në Evropë. "Te ne më shumë përforcimet i bëjnë drejtuesit e klubeve sesa trajnerët, por sigurisht që ka edhe klube që bashkëpunojnë me trajnerë. Mirëpo, unë mendoj që klubet fillimisht duhet të përforcohen në shtabet teknike, pasi nuk ushtrohen 30 futbollistë me 2 trajnerë. Kjo tregon që jemi ende amatorë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Arsim Plepolli, i cili nuk sheh mundësi të mëdha që ndonjë lojtar të transferohet gjatë këtij afati jashtë Kosovës. "Gjasat për të shitur ndonjë lojtar në klube evropiane janë minimale. Në Shqipëri e në Maqedoni mund të ketë ndonjë transfer, por sa do të përfitonin klubet nga shitja, mendoj se shumë pak", ka përfunduar Arsim Plepolli.

(Kosova Sot)