Pogba pranon sfidën, do të jetë ai lideri i mesfushës bardhezi

  • 31 July 2015 - 16:43
Pogba pranon sfidën, do të jetë ai lideri i mesfushës bardhezi

Për Paul Pogba, ky parashikohet të jetë viti i konfirmimit të tij në elitën e futbollit botëror. Pas një sezoni pothuajse perfekt me Juventusin dhe zërave të merkatos, shtatlarti francez kërkon të përqëndrohet te e ardhmja ku e pret një tjetër sezon i ngjeshur dhe ndoshta me më shumë përgjegjësi sepse është ai që do të marrë peshën e mesfushës bardhezi mbi supet e tij pas largimit të Andrea Pirlos dhe Arturo Vidal. Pogba nuk i trembet aspak ndryshimit të hierarkisë, duke u shprehur i gatshëm për të bërë atë që trajneri do t’i kërkojë.

“Mua më pëlqen të luaj në çdo pozicion të fushës. Numri 10? Unë jam në dispozicion të trajnerit. Shpresoj të shënoj siç ka bërë Vidal, e shpresoj këtë për të mirën time dhe të Juventusit”.

22-vjeçari pranon të analizojë edhe merkaton e bërë nga shoqëria gjatë kësaj vere, por nuk bën parashikime për ecurinë e grupit të ri që pjesërisht është modifikuar.

“Jemi vetëm në fillim por kemi marrë lojtarë të mëdhenj dhe me shumë eksperiencë. Ne jemi Juventusi dhe duhet të bëjmë mirë përherë. Nuk kemi ndryshuar gjithçka edhe pse janë afruar ekspertë si Khedira e Mandzukic, por do të kërkojmë sërish maksimumin”.

Në fund, Pogba nuk e pranon fjalën “ngopje” nëse u referohet sukseseve të viteve të fundit.

“Duhet t’ia nisim nga e para. Finalja e Champions League është pjesë e së shkuarës dhe nuk ka asnjë lidhje me sezonin e ri. Gjithçka do të varet nga ne sepse kundërshtarët e shikojnë Juventusin në vendin e parë prej shumë vitesh. A do të qëndroj këtu? Unë jam tashmë këtu dhe më shikojnë të gjithë”.