Mourinho dëshiron trofeun e parë sezonal

  • 31 July 2015 - 19:18
Mourinho dëshiron trofeun e parë sezonal

Superkupa e Anglisë është objektivi i radhës për Chelsea-in e Jose Mourinhos. Blutë e Londrës janë gati për finalen e Community Shield ku këtë të Dielë do të kenë përballë Arsenalin në Wembley. Edhe pse Superkupa e Anglisë është një trofe që duhet fituar në konferencën për shtyp në prag të kësaj sfide trajneri i Chelsea-it Jose Mourinho u shfaq shumë i qetë duke theksuar se për të nuk është dicka speciale të mundë Aresenalin e Arsene Wenger. Në 13 përballje mes tyre francezi i topcinjëve nuk arritur ta mundë asnjëherë portugezin, me Special One që regjistron 7 fitore dhe 6 barazime. Mourinho konferencën për shtyp e nisi pikërisht me një thumb kundrejt Arsene Wenger-it.

“Nëse në 13 ndeshje ndaj një rivali nuk do të kisha fituar asnjëherë me siguri që do të ndryshoja dicka. Unë mendoj se ajo e Community Shield është një ndeshje më e rëndësishme se një miqësore e muajit Gusht, pasi në radhë të parë është një sfidë me një trofe në mes. Gjithsesi edhe nëse humbasim për mua nuk do të ishte një dramë”.

Si për ironi të fatit, të Dielën në Wembley si kundërshtar Chelsea do të ketë përballë ish portierin e tij cekun Peter Cech. Një mendim i trajnerit portugez shkoi edhe për gardianin 33-vjecar që në 11 vjet karrierë me blutë fitoi plot 15 trofe.

“Cech është një portier i madh, por për momentin ne mendojmë për të tashmen. Fakti që ai kaloi te Arsenali nuk ishte dicka pozitive për Chelsea-in, por kjo tashmë ka ndodhur dhe nuk e kthejmë dot pas. E vetmja gjë pozitive në këtë mes ishte që klubi përfitoi 11 milionë Euro nga shitja e Peter”.

Mourinho bëri gjithashtu të ditur se për ndeshjen ndaj Arsenalit do të ketë të gatshëm të gjithë futbollistët përfshirë këtu edhe Diego Costën dhe Gary Cahill që kanë hasur disa probleme në ditët e kaluara. Në fund 52-vjecari bëri edhe parashikimet e tij për sezonin e ri.

“Këtë sezon skuadra që do të fitojë titullin do të grumbullojë më pak pikë dhe do të regjistrojë një numër më të vogël fitoresh. Skuadrat e mëdha janë përforcuar shumë por edhe ekipet e vogla kanë bërë investime të rëndësishme. Favorite janë skuadra të tilla si Arsenali, Manchester City, Manchester United, Liverpooli dhe Chelsea por duhet patur kujdes nga ekipe si Crystal Palace, Newcastle, Stoke dhe Watford”.