Ky është sportisti i vitit në Zvicërr (Foto)

  • 11 December 2017 - 20:44
Ky është sportisti i vitit në Zvicërr (Foto)

Për të 7-n herë në karrierën e tij, tenisti Roger Federer është zgjedhur si “Sportisti më i mirë zviceran i vitit”, duke fituar trofeun e vitit 2017. Më parë, ai ka triumfuar në sezonet 2003, 2004, 2006, 2007, 2012 dhe 2014. Ceremonia e dorëzimit të trofeut u zhvillua në Zyrih, një vlerësim që i jepet sportistit 36-vjeçar, që këtë vit u rikthye triumfues në fushë, duke fituar edhe dy grand sleme (7 trofe në total). Kandidatë për ta fituar këtë çmim në kategorinë e meshkujve ishin edhe Roman Josi (hokej), Andy Schmid (hendboll) dhe Pablo Bragger (gjimnast), por nuk pati garë, pasi Federer mori 36,88% të votave.

“Jam i nderuar që e marr këtë trofe, të cilin e ndaj bashkë me stafin tim. Nuk do të isha në këto nivele pa mbështetjen e skuadrës time”, u shpreh Roger Federer përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Twitter”. Tenisti nuk ishte në sallë për të marrë çmimin, pasi ndodhet në Dubai, ku po stërvitet, por foli për të pranishmit përmes një video-konference. Për femra, këtë trofe e mori skiatorja Wendy Holdener, ndërsa trajneri i vitit u shpall Severin Luthi, që është pikërisht trajneri i Riger Federer.

(Kosova Sot)