Nadal avancon në gjysmëfinalen e ATP Hamburg

  • 31 July 2015 - 23:20
Nadal avancon në gjysmëfinalen e ATP Hamburg

Rafael Nadal vijon rrugën e tij drejt titullit në turneun e Hamburgut. Tenisti spanjoll nuk derdhi shumë djersë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale pasi mundi lehtësisht në cerekfinale uruguianin Pablo Cuevas. Në dheun e kuq të Hamburgut Rafa lëshoi vetëm 5 game gjithsej në cerekfinalen ndaj Cuevas duke triumfuar 2-0 me sete me shifrat 6-3, 6-2 në 1 orë e 14 minuta lojë. Nadal i cili në turneun e Hamburgut është shpallur kampion në vitin 2008, në gjysëmfinale do të përballet me Andreas Seppin. Ky i fundit fitoi derbin italian me Simone Bollelin pa zbritur në fushë sepse kundërshtari i tij u tërhoq pasi kishte probleme me stomakun.

Në gjysmëfinalen tjetër do të vihen përballë  Fabio Fognini, kampioni i vitit 2013 në Hamburg dhe Lucas Pouille. Tenisti italian në cerekfinale kaloi pa shumë vështirësi sllovenin Aljaz Bedene i cili prej disa muajsh nuk përfaqëson më vendin e tij të origjinës por Britaninë e Madhe. 2-0 me sete me shifrat 6-4, 7-5 në favor të Fogninit ishte rezultati i sfidës. Akoma më të thjeshtë e pati kundërshtari i radhës i italianit francezi Lucas Pouille sfidën e tij cerekfinale përballë bashkëkombasit Benoit Paire. Pouille fitoi në dy sete me rezultatin 6-3, 6-2 dhe me ecurinë e deritanishme në turneun e Hamburgut pritet të përmirsohet me 20 vende në klasifikimin e ri Botëror.