Juve-Schalke, ngrijnë bisedimet për Draxler

  • 01 August 2015 - 17:12
Juve-Schalke, ngrijnë bisedimet për Draxler

Juventusi po e studion me kujdes merkaton e verës, por nuk do të bëjë asnjë lëvizje tjetër para kthimit të skuadrës nga Pekini, ku do të luajë Superkupën e Italisë. Objektivat mbeten të njëjtë: Një trekuartist, ose thënë ndryshe një mesfushor sulmues, një anësor i majtë dhe një mbrojtës qendre, që do të ishte i vlefshëm në rast se të dëmtuarit Chiellini dhe Barzagli do të qëndrojnë në infermieri për një kohë të gjatë.

Tratativat me Schalken për Julian Draxler janë ngrirë, pasi klubi gjerman e ka refuzuar ofertën e parë të torinezëve për shërbimet e 21-vjecarit. Juventusit nuk i ka pëlqyer aspak mënyra e sjelljes së Schalkes. Sigurisht Marota as që ka ndërmend të paguajë 30 milionë Euro për sulmuesin anësor, për të cilin ofruan 20 milionë Euro, duke përfshirë edhe bonuset. Cmimi i Draxler ka rënë ndjeshëm për shkak të problemeve të shumta fizike që ka shfaqur gjatë dy viteve të fundit, madje gjatë sezonit 2014-2015 ka mundur të luajë në vetëm 19 takime. Mbeten të hapura pistat Isco, Gotze dhe Cuadrado, ndërsa Alex Sandro është alternativë e parë në krahun e majtë. Për mbrojtjen, ende nuk ka një emër që mund t’i përshtatet profilit të futbollistit që kërkon Allegri.