Skënderbeu masa ekstreme sigurie për sfidën me Milsamin

  • 01 August 2015 - 18:47
Skënderbeu masa ekstreme sigurie për sfidën me Milsamin

Këmbanat e alarmit që ranë në Kukësi-Legia kanë bërë që te Skënderbeu të angazhohen me tërë forcat për organizimin e ndeshjes së kthimit me Milsamin që do të luhet të mërkurën e ardhshme në “Elbasan Arena”. Presidenti Ardian Takaj edhe drejtuesit e klubit korçar nuk mund të pranojnë që të lejojnë qoftë edhe mundësinë më të vogël që diçka e ngjashme me atë që ndodhi në “Qemal Stafa” të ndodhë dhe në takimin me moldavët ndaj janë duke u impenjuar me gjithë forcat me një plan ekstrem masash për sigurinë në mënyrë që të garantojnë që gjithçka do të shkojë në rregull për sa i përket mbarëvajtjes së ndeshjes ku në fushën e blertë skuadra e Josës pritet të sigurojë kualifikimin historik në Play-Off-in e Champions  League.

Presidenti Takaj dhe drejtuesit e klubit kanë zhvilluar takimet e nevojshme me drejttuesit e Policisë së Shtetit që pritet të jenë me një numër rekord forcash në “Elbasan Arena” për të garantuar që gjithçka të shkojë në rregull. Në të njëjtën kohë paralelisht në stadium do të jetë sërish edhe një numër rekord stjuartësh të shoqërisë që ka marrë përsipër sigurinë, rreth 120 të tillë të cilët janë instruktuar dhe kanë zhvilluar trajnimin e nevojshëm jo vetëm për t’iu përgjigjur situatave nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha në parandalimin e incidenteve dhe personave problematikë.

Gjithashtu mësohet se masa të detajuara do të merren edhe nga ana e UEFA-s. Të hënën delegatët e organizimit europian do të jenë në Elbasan për të marrë de fakto në dorëzim stadiumin duke përcaktuar gjithçka për sa i përket masave të sigurisë. Alarmi që ka kapur klubin korçar duke parë precedentin e Kukësit  ka bërë që Skënderbeu t’i drejtohet edhe me një thirrje publike tifozëve në një komunikatë.