Sporti, një hap para politikës, Rusia njeh pasaportën e Kosovës

  • 01 August 2015 - 19:09
Sporti, një hap para politikës, Rusia njeh pasaportën e Kosovës

Nuk thonë kot që sporti thyen barrierat. Falë tij edhe Rusia, një aleat historik i Serbisë është detyruar të njohë de fakto pasaportat e Kosovës. Lajmi është njoftuar nga amabasada Ruse në Beograd që ka saktësuar se me pasaportat e Kosovës mund të hyjnë në territorin e Rusisë vetëm sportistët. Pavarësisht këtij kufizimi kjo është një tjetër fitore e Kosovës e arritur nëpërmjet sportit. Ka qenë vetë Ministri i Jashtëm serb, Ivica Dacic që ka deklaruar se “fajtore” për këtë nuk është Rusia, por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar duke konfirmuar  se pranimi i Kosovës në këtë organizëm madhor i ka hapur dyert sportistëve të Kosovës që t’iu njihet pasaporta e shtetit më të ri në Europë.

Lajmi ka irrituar padyshim mediat Serbe që janë gjetur të papërgatitur nga ky veprim i “vëllait të tyre të madh”, ndërkohë që në Kosovë ka gjeneruar optimizëm jo vetëm në aspektin social-politik, por edhe në atë sportiv. Njohja e vizave të sportistëve të Kosovës nga ana e Rusisë mund të jetë një lëvizje që i paraprin pranimit të Kosovës në FIFA dhe përfshirjes së saj në eliminatoret e Botërorit të vitit 2018 që do të zhvillohet pikërisht në Rusi.

Putin është përpjekur ta luajë kartën e sportit për t’i shfaqur botës forcën e vendit të tij si në rastin e Olimpiadës Dimërorë në Sochi, dhe mund të jetë gjendur para kërkesës që të gjithë skuadrat që luftojnë për në Botërorin që do të zhvillohet në Rusi të kenë mundësi të jenë aty për finalet e Kupës së Botës 2018. Në cdo rast, njohja e pasaportave të sportistëve kosovarë nga ana e Rusisë është një tjetër shembull se sporti është një hap para politikës.