Atp Hamburg, Nadal-Fognini në finale

  • 01 August 2015 - 19:10
Atp Hamburg, Nadal-Fognini në finale

Rafael Nadal respekton parashikimet dhe mund thellë numrin 26 të botës Andreas Seppi duke siguruar finalen e tretë në karrierë në turneun e Hamburgut. Askush nuk e vinte në dyshim fitoren megjithatë Rafa u tregua i pamëshirshëm duke humbur vetëm tre game gjithsej. 31-vjecari nga Bolzano nuk luajti keq sidoqoftë “Mbreti i fushave me dhe” dominoi pothuajse gjithë takimin, madje në katër game-t e para të ndeshjes sa për statistikë numri 10 i botës humbi vetëm dy pikë gjithsej. Nadal kryesonte 5-1 në përballjet ndërmjet tyre dhe të vetmin sukses Seppi e pati regjistruar 7 vjet më parë në sipërfaqe të shpejtë në Rotterdam, gjithsesi tenisti iberik udhëhoqi deri 5-0, për t’u thyer më pas në servis, pikërisht në momentin kur po shërbente për të mbyllur setin hapës. Pasi fitoi setin e parë Rafa u shkëput përsëri në 3-0, megjithatë në game-n e tretë kampioni i vitit 2008 i futi të dridhurat stafit të tij teksa kërkoi një pushim 5′, për shkak të një problemi që nuk u kuptua shumë qartë. Nadal kërkoi ndihmën e fizioterapistit për një dhimbje në gjoks në anën e djathtë dhe pasi piu një pilulë u kthye në fushë po aq dominues sa edhe më parë.

Përfundimisht 29-vjecari spanjoll mbylli gjithë takimin me rezultatin e thellë 6-1, 6-2 në një ndeshje të cilën e mbylli në servis me 80% të shërbimit të parë dhe ku shkaktoi vetëm 2 gabime në setin hapës dhe 7 gjithsej. Për Rafën bëhet fjalë për finalen e parë që nga turneu 250 i Stuttgart-it ku mundi tenistin serb Viktor Troicki, ndërsa Seppi në krahun tjetër nuk hyri dot në ritëm dhe vuajti shumë në shërbimet e tij, ku pësoi 7 game me break nga 8 që luajti në total në servis. Veterani italian falë 180 pikëve të fituara do të përmirësohet ndjeshëm në renditjen ATP, duke iu afruar shumë 20-shes së parë të botës.

Në gjysmëfinalen tjetër ashtu sic pritej Fabio Fognini përfitoi nga shorti dhe mundi pa shumë probleme numrin 85 të botës Lucas Pouille. 28-vjecari nga San Remo i rrëmbeu dy herë shërbimet tenistit francez në setin hapës, ndërsa në setin e dytë ishte 21-vjecari i ardhur nga ndeshjet kualifikues që pasi i anulloi katër mundësi tenistit italian pati një mundësi për setin në game-n e 12. Gjithcka u mbyll me tie break ku Fognini humbi vetëm 2 pikë dhe numri 32 i botës përfundoi takimin me shifrat 6-2, 7-6 në 1 orë e 23′. Për Lucas Pouille kjo është arritja më e madhe në karrierë dhe tenisti i ri francez përvec cekut prej 66.000 Eurosh do të përmirësohet me plot 20 pozicione në klasifikimin e përgjithshëm botëror. Në finale pra do të matin forcat kampioni i vitit 2008 me kampionin e vitit 2013, me Rafën që kryeson 4-2 bilancin e përgjithshëm, por vlen të përmendet fakti që Fabio Fognini ka fituar dy përballjet e fundit ndërmjet tyre, që të dyja këtë sezon dhe në fushë dheu, fillimisht në Rio De Janeiro dhe më pas në Barcelonë.