Man. City-Roma arrijnë akordin, Dzeko te verdhekuqtë

  • 01 August 2015 - 20:32
Man. City-Roma arrijnë akordin, Dzeko te verdhekuqtë

Arrihet akordi. Edin Dzeko do të shkojë te Roma. Siç bën të ditur “ESPN”, verdhekuqtë kanë gjetur akordin me Manchester City-n për transferimin e qendërsulmuesit nga Bosnja. Negociatat e gjata, “tërhiq e mos e këput” mes dy klubeve janë mbyllur me një kompromis: Në arkat e klubit anglez do të shkojnë 23 milionë Euro, shifër që është ndërmjet 20 milionëve që kishte ofruar më parë Roma, dhe 28 milionë Eurove që kërkonin Citizens të cilët në fund ulën pretendimet e tyre për kartonin e 29-vjeçarit.

Presingu i Romës në drejtim të Dzekos filloi mes fundit të Majit dhe fillimit të Qershorit, në përfundim të kampionatit të kaluar. Që sezonin e fundit ishte kuptuar se lojtari nuk hynte më në planet e trajnerit Manuel Pellegrini me Dzekon që koleksionoi vetëm 22 prezenca në Premier League, dhe thuajse të gjitha duke u futur nga stoli. Konfirmimi erdhi edhe në turneun veror me Dzekon që rrinte shpesh duke parë nga stoli miqësoret, duke përfshirë këtu edhe atë me Romën. Verdhekuqtë në këtë mënyrë gjetën akordin me futbollistin për një kontratë 4-vjeçare për 4.5 milionë Euro në sezon, duke vijuar bisedimet me Manchester City-n, të cilat u përshpejtuan pas blerjes së Raheem Sterling nga Citizens.