Manchester City, Pogba në muajin Janar

  • 02 August 2015 - 12:49
Manchester City, Pogba në muajin Janar

Paul Pogba nuk do të largohet nga Juventusi… të paktën deri në Janar. Talenti francez që ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të pasura të kontinentit ka siguruar se do të qëndrojë bardhezi, por ofertat faraonike në adresë të tij mund ta prishin ëndrrën italiane të 22-vjeçarit. Reali, Barcelona, Paris Saint Germain qëndrojnë në radhë bashkë me Manchester City për të siguruar shërbimet e mesfushorit. Janë pikërisht anglezët ata që shfrytëzojnë avantazhin ekonomik për të dalë në krye të listës së skuadrave pretendente. “Daily Star” shkruan se “Citizens” nuk e kanë braktisur pistën Pogba dhe nuk kanë ndërmend të tremben nga kërkesa e Juventusit që synon të arkëtojë 100 milionë Euro.

Paratë janë çështja e fundit që shqetësojnë ekipin ishullor, aq më tepër tani që normat e fair play financiar nuk i pengojnë më. Presidenti Al Mubarak e ka kuptuar se bardhezinjtë nuk kanë nevojë urgjente për para pas largimit të Vidal e Tevez, prandaj do të presë merkaton e dimrit për të bërë një ofertë joshëse. Një avantazh të madh në këtë çështje, Manchester City e ka për faktin se përveç parave, mund të ulë në stol një emër me peshë si Pep Guardiola dhe Pogba nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t’u vendosur nën urdhrat e teknikut që zhvilloi futbollin tiki-taka.