Milan, Mr. Bee firmos për 48 % të aksioneve

  • 02 August 2015 - 15:53
Milan, Mr. Bee firmos për 48 % të aksioneve

Më në fund ka një firmë. Kalvari i gjatë i bisedimeve për shitjen e një pjesë të aksioneve të Milanit duket se ka marrë fund me të zezën mbi të bardhë të hedhur nga tajlandezi Bee Taechaubol, i cili do të zotërojë pjesën më të madhe të aksioneve pas presidentit Silvio Berlusconi. 48 % e aksioneve të kompanisë Fininvest kaluan në duart e 39-vjeçarit të lindur në Bangkok, i cili do të derdhë 500 milionë Euro në llogarinë e shoqërisë. Firma është hedhur në Milano por zyrtarizimi i marrëveshjes do të bëhet gjatë Shtatorit kur të kalojnë zyrtarisht aksionet në adresë të taljandezit. Arritja e marrëveshjes parashikon edhe ndryshime të shumta në drejtimin e shoqërisë pasi numri i këshilltarëve administrativë do të rritet në 13 ku 7 prej tyre do t’i përkasin Fininvest dhe 5 Mr Bee, i cili do të marrë edhe detyrën e zv/presidentit. Në shoqëri do të hyjë edhe një administrator i deleguar i komanduar nga tajlandezi, i cili do të ketë të drejtë të veprojë në fushën e marketingut aziatik.

Dy administratorët e tjerë Adriano Galliani dhe Barbara Berlusconi do të veprojnë respektivisht në aspektin sportiv dhe atë të tregut amerikan dhe europian. Marrëveshja u arrit të Premten në mbremje pas dritës jeshile që presidenti Berlusconi dha nga Sardegna ku ndodhet aktualisht. Sipas projektit të prezantuar nga Mr. Bee, presidenti aktual do të marrë vendimet kryesore, ndërsa pala tajlandeze do të ndërtojë strategjinë për zhvillimin e markës në tregun aziatik duke nisur që nga kuotimi në bursën e Hong Kongut brenda 2 viteve. Një tjetër risi është edhe angazhimi i kompanisë “Doyen Sports” në merkaton e Milanit, por në çdo rast, fjalën e fundit do ta thotë Adriano Galliani, i cili nuk është i detyruar të marrë vendime të ndikuara nga kompania e specializuar në çështjet e transferimit të lojtarëve. Në këtë mënyrë, Silvio Berlusconi mban fjalën duke ruajtur pozitat dominuese në shoqërinë Fininvest, duke evituar transferimin e një tjetër klubi të madh italian në duart e investitorëve aziatikë pas shitjes së Interit tek Eric Thohir.