Klubet po vetëdijesohen

  • 28 December 2017 - 09:07
Klubet po vetëdijesohen

AFATI KALIMTAR I JANARIT NUK PRITET TË JETË SHUMË I PASUR

Afrimet nga jashtë, mundësia e vetme për përforcime cilësore 

Duke e parë situatën jo të mirë financiare të Besës, Drenicës e Vëllaznimit, disa klube po tentojnë ta shfrytëzojnë këtë gjë për t'u rrëmbyer ndonjë lojtar. Mirëpo, nëse arrijnë që këto tri klube të mobilizohen, atëherë asnjë lojtar nuk do të largohet nga to, kështu që janari me shumë gjasë mund të mbetet i ftoftë, ashtu siç edhe është për nga natyra

E kaluara e hidhur me largimin e futbollistëve jashtë vendit, të cilët iknin pa paguar asnjë centë dëmshpërblim, sikur i ka vetëdijesuar klubet kosovare, të cilat tashmë kontratat po i bëjnë afatgjate dhe jo si në të kaluarën kur shumica bëheshin gjashtëmujore e më së largu njëvjeçare. Kjo edhe po bën që afati kalimtar i dimrit që nis në janar të 2018-ës, të mos pritet të jetë shumë i pasur pasi futbollistët kryesorë që shfaqën cilësi në klubet e tyre kanë kontrata dhe nuk do të kenë mundësi largimi. Përveç kësaj, edhe rregullorja e Federatës së Futbollit të Kosovës nuk i lejon ndryshimin e mjedisit të asnjë loj tari që nuk ka kontratë profesionale. Gjithsesi, mundësia e vetme që klubet kosovare gjatë dimrit të përforcohen janë prurjet nga jashtë, mirëpo, duke e parë situatën financiare të tyre edhe në këtë rrafsh është vështirë të pritet ndonjë transfer spektakolar. Mirëpo, edhe nëse nuk kemi lëvizje të bujshme, pranvera, sipas njohësve të futbollit, prapë do të jetë interesante dhe joshëse për t'u ndjekur.

Lojtarët me përvojë

Gjithsesi në treg aktualisht qëndrojnë disa emra të lojtarëve të njohur, që janë të lirë dhe mund t'i bashkohen ndonjë skuadre gjatë këtij dimri. Qëndrim Sejdiu i cili në karrierën e tij pati fatin të luajë në ekipe të mëdha, si Prishtina, Drita etj., për gazetën "Kosova Sot" ka konfirmuar se është lojtar i lirë dhe se në pranverë ka mundësi t'i bashkohet ndonjë skuadre. "Gjatë vjeshtës nuk kam luajtur në asnjë skuadër për shkak të kushteve jo të mira financiare që ofronin. Pranvera pritet të jetë shumë interesante kështu që edhe unë po besoj se shpejt do t'i bashkohem ndonjë klubi. Jam në pritje të ofertave, derisa tashmë kanë nisur kontaktet me disa klube", ka thënë për "Kosova Sot" Sejdiu. Në të njëjtën situate është edhe futbollisti tjetër me përvojë, Fidan Hasani, i cili ka paralajmëruar që në fillim të janarit do të vendosë se ngjyrat e cilit klub do t'i mbrojë.

Gjahu te Vëllaznimi, Drenica e Besa

Duke e parë situatën aspak të mirë financiare të skuadrave si Besa, Drenica e Vëllaznimi, disa klube po tentojnë ta shfrytëzojnë këtë gjë për t'ia rrëmbyer ndonjë lojtarë. Zaten kohët e fundit shënjestra e tyre kryesore kanë qenë pikërisht këto klube. Llapi e Feronikeli tashmë kanë peshkuar te Vëllaznimi e Drenica. Derisa Llapi mori sulmuesi Artin Merlaku nga Vëllaznimi, Feronikeli i mori trajnerin gjakovarëve, Ismet Munishi. "Nikli" ka peshkuar edhe të Drenica, duke ia marrë lojtarin kryesor në sulm, Genc Hamiti. Në anën tjetër vëmendja është edhe tek Besa, ku janë disa lojtarë më përvojë që mund të kryejnë punë në pranverë. Emri më i përfolur për mundësi largimi nga Besa është Fetim Kasapi. Ai ka thënë për "Kosova Sot" se nëse klubi nuk i kryen detyrimet që ka ndaj tij, do të kërkojë nga Federata shkëputje të kontratës. I shumëpërfolur është edhe mbrojtësi Florent Papuqi, i cili gjithashtu mund të gjejë ambient të ri. Mirëpo, nëse arrijnë që këto tri klube të mobilizohen, atëherë asnjë lojtarë nuk do të largohet nga to, kështu që janari me shumë gjatë mund të mbetet i ftoftë ashtu siç edhe është për nga natyra.

(Kosova Sot)