Wenger kritikon Mourinho-n

  • 29 December 2017 - 09:40
Wenger kritikon Mourinho-n

Në përballjen e fundit të vitit që e pa Manchester United të barazonte me rezultatin 2:2 ndaj Burnley-t në “Old Trafford”, portugezi Jose Mourinho doli me një deklaratë të fortë, duke përmendur disa faktorë për këto rezultate zhgënjyese. Tashmë që United thelloi me -15 pikë diferencën ndaj City-t, trajneri portugez deklaron se 300 milionë funte, shumë me të cilën ai mbylli afatin e kaluar, nuk ishin të mjaftueshme për t’i dhënë vazhdimësi dhe siguri ekipit. “Ky është sezoni i dytë që po tentojmë të ndërtojmë një skuadër të fortë, sepse siç e dini Manchester United nuk është ekipi më i fortë në botë. Ne jemi një ekip i madh, por 300 milionë funte nuk janë të mjaftueshme për të realizuar ato objektiva që kemi vendosur. Djemtë tanë janë duke bërë maksimumin, por kjo sërish nuk mjafton”, ishte shprehur trajneri portugez.

 Mjaft me ankesa

Por, pas deklaratave të trajnerit Mourinho i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Arsene Wenger. Trajneri francez i kujton portugezit se ai ka qenë në të tilla pozita për plot 21 vite, duke rivalizuar me klube të tjera që kanë patur në dispozicion buxhet shumë herë më të madh nga ai i Arsenal-i e sërish kjo nuk i ka ndalur ata të arrijnë suksese. “Mjaft me ankesa. Mourinho duhet të pajtohet me idenë se Manchester City është një klub më i pasur nga United. Çdo trajner duhet të arrijë të menaxhojë situatën në të cilën ndodhet e jo të shohë përtej mundësive konkrete që ka. Duhet gjetur rruga drejt suksesit me ata futbollistë që kemi në dispozicion. Unë kam mësuar të bashkëjetoj me faktet dhe kjo nuk më është kthyer në pengesë, përkundrazi. Mendoj se dhe Mourinho duhet ta shohë në këtë prizëm të gjithë këtë situatë e të bëjë më mirë detyrën e tij”, ka thënë trajneri francez. Gjithsesi, edhe pse Wenger është me këmbë në tokë, modest dhe i kënaqur me arritjet përgjatë viteve, këtë sezon duhet kujtuar se Arsenal-i renditet i gjashti në tabelën e klasifikimit të Ligës Premiere. Ndërkohë që “Djajtë e Kuq” tashmë me një distancë të thellë prej 15 pikësh ndaj “Qytetarëve” vazhdojnë të renditen të dytët, me vetëm një pikë më shumë se Chelsea i vendit të tretë.

(Kosova Sot)