Rrëfimi i Edisit

  • 30 December 2017 - 09:52
Rrëfimi i Edisit

INTERVISTË ME ISH-BASKETBOLLISTIN I CILI MË SHUMË SE 10 DITË ISHTE NË KOMË

Edis Kuraja kishte parë 'vdekjen me sy

Njëri nga basketbollistët më të mirë vendorë në Kosovë ndër vite ishte Edis Kuraja. Ai gjatë karrierës së tij fitoi shumë trofe, por, kishte edhe një aksident të rëndë, dhe për më shumë se dhjetë ditë ishte në komë, duke 'luftuar me vdekjen'. Edisi ishte goditur nga një veturë, dhe po të mos ishte sportist, vështirë se do të mbijetonte. Kuraja rrëfen për karrierën e tij, rehabilitimin dhe gjendjen e tanishme
Basketbolli në Kosovë gjatë dekadës së kaluar ishte në kulm. Me një ligë mjaft cilë- sore, me shumë lojtarë dhe trajnerë të dalluar dhe me paga marramendëse. Njëri nga lojtarët më të dalluar ndër vite ishte Edis Kuraja. Ai luajti basketboll për 14 vjet, ku shumicën e kohës e kaloi në Prishtinë, gjithashtu duke fituar shumë trofe në karrierën e tij. Por, Edisi, më 2015 ishte goditur nga një veturë, dhe më pas gjendja e tij u përkeqësua, ku më shumë se dhjetë ditë qëndroi në komë, duke humbur edhe shumë kilogramë, megjithatë, si një sportist i vërtetë, ai i kaloi të gjitha sfidat, edhe pse u ballafaqua me jetë a vdekje.

Më shumë se dhjetë ditë në komë

Në një intervistë për gazetën 'Kosova Sot', ai tregon si ndodhi ai moment. "Ka qenë 4 korrik 2015. E mbaj mend mirë shumë atë natë dhe nuk do ta harroj asnjëherë. Ka qenë Ramazan dhe isha agjërueshëm ditën. Pas iftarit kam dalë, dhe në orën 00:20 duke kaluar rrugën, më ka goditur një veturë, që ka qenë në shpejtësi të madhe. Kam qenë i vetëdijshëm deri në spital që më kanë dërguar dhe derisa më kanë qepur në shpinë. Por, mjekët në Prishtinë, nuk më kanë ekzaminuar si duhet dhe në mëngjes të ditës së nesërme kam pasur gjakderdhje të brendshme, ku kam rënë në gjendje kome. Më shumë se dhjetë ditë kam qenë në komë. Më 5 korrik më kanë dërguar në Shkup, ku përkujdesja ka qenë shumë më e mirë dhe më 18 korrik kam dalë nga koma. Gjatë këtyre dhjetë ditëve në komë, nuk më kujtohet asgjë. Kam qenë në gjendje të pavetëdijshme. Mjekët në Shkup e kanë konstatuar se çfarë probleme kam pasur", është shprehur Edis Kuraja për gazetën "Kosova Sot".

Në 'luftë me vdekjen'

Ai kishte disa operime, dhe ishte në 'luftë me vdekjen'. "Jam zgjuar nga koma vetëm pas disa operimeve. Kam pasur lëndime të rënda trupore dhe siç më kanë thënë edhe mjekët ka qenë një ballafaqim për jetë a vdekje. Kam humbur shumë gjak, dhe 28 kilogramë. Dua të falënderoj të gjithë për përkrahjen që më kanë dhënë, kurse ka pasur shumë prej tyre që kanë dhuruar gjak. Personi i parë që kam parë kur kam dalë nga gjendja kome, ishte Marijan Ilievski, ish-trajneri i Sigal Prishtinës. Në spitalin e Shkupit kam qëndruar rreth një muaj, derisa më pastaj kanë qenë rreth gjashtë muaj të rehabilitimit. Faktikisht, kam qenë shumë në rrezik. Kam humbur shumë gjak dhe oksigjen. Ka qenë rreziku të kthehem në 'pikën zero'. Do të thotë të mësosh nga fillimi të flasësh, ecësh, etj. Mjekët më kanë thënë se po të isha vonuar edhe pak (disa orë), nuk do të jetoja më. Shkuarja në Shkup ka qenë shpëtuese për mua. Një tjetër faktor ishte se kam qenë sportist, dhe me një trup të zhvilluar në formë. Nëse nuk do të isha sportist, dyshoj se do të jetoja sot", shprehet tutje Edisi, për të cilin natyrisht se kjo ngjarje ndikoi në jetën e tij. "Normalisht se ndikon. Si psiqikisht, ashtu edhe fizikisht. Jam besimtar dhe falënderoj Zotin që jam gjallë dhe në gjendje të mirë. Pas kësaj ngjarjeje, normalisht se ia di më shumë vlerën jetës. Nuk kam qenë si në gjendjen e mëparshme, por jam mirë", thekson tutje ish-basketbollisti i njohur, i cili tashmë i është përkushtuar profesionit të tij dhe ka kaluar provimin e jurispodencës. 

Fitoi shumë trofe

Edisi gjithashtu në karrierën e tij fitoi shumë trofe. "Kam luajtur për 14 vjet basketboll. E kam filluar në Real Universiteti dhe pas një periudhë të shkurtë kam kaluar në Prishtinë, ku kam luajtur për shumë vjet, duke fituar edhe shumë trofe. Është një ndjenjë shumë e mirë të luash për qytetin tënd, ku ke lindur dhe je rritur. Gjithashtu edhe tifozët kanë qenë të mrekullueshëm, derisa Liga në atë kohë ka qenë shumë interesante. Nga viti 2000 deri më 2006 kam luajtur te Prishtina, më pas te Mabetex, As Prishtina, Peja, dhe në fund sërish te Prishtina, ku kam përfunduar karrierën. E kam fituar tri herë titullin, dhe shtatë Kupa me Prishtinën dhe një me Pejën. Gjithashtu kam qenë edhe drejtor sportiv në klubin bardhekaltër. Një përvojë e mrekullueshme ka qenë edhe kur kam bartur fanellën e Kosovës në turneun në Egjipt, ku trajner ishte Bujar Loci. Është ndjenjë e veçantë të luash për vendin tënd dhe jam i lumtur që e kam arritur këtë", ka përfunduar Edis Kuraja. 

(Kosova Sot)