Topin në duar, e mendjen te puna - Sport - Kosova Sot
Topin nė duar, e mendjen te puna

Topin nė duar, e mendjen te puna

Numri i sportistëve nga Kosova në ligat evropiane po rritet nga dita në ditë. Ata po dëshmojnë talentin e tyre në ligat evropiane, ku cilësia është më e lartë se në Kosovë. Disa prej tyre edhe punojnë edhe luajnë, derisa nuk e harrojnë vendlindjen. Ndër lojtarët e suksesshëm në arenën ndërkombëtare, janë dy hendbollistët Enis Kabashi dhe Florim Hoxha, dy lojtarë që kanë qenë shumë të suksesshëm në Kosovë, por janë të suksesshëm edhe në Gjermani.

Dallimi i madh

 Kabashi ka qenë dy herë hendbollisti më i mirë në Kosovë, derisa vendosi të largohet dhe të shkojë në Gjermani. Ai punon si mirëmbajtës i kompjuterëve (IT), derisa luan për skuadrën Landshut, në Ligën e Katërt e Bavarisë në Gjermani. Enisi thotë se nuk e ka problem të punojë dhe të luajë. "Po, jam duke punuar dhe duke luajtur. Si gjithmonë në fillim ishte pakës më vështirë, megjithatë, tani jam adaptuar dhe nuk kam asnjë problem. Më ka ndihmuar shumë edhe shefi i punës, sepse është pronar i klubit, dhe kur kemi stërvitje ose ndeshje më ndihmon shumë. Është shumë i kuptueshëm në këtë aspekt dhe nuk e kam aspak problem", është shprehur Enis Kabashi për gazetën "Kosova Sot". Enisi thekson se kushtet janë shumë të mirë në Gjermani "Kushtet në Gjermani janë shumë të mira. Klubet janë shumë të organizuara, dhe i kushtohet rëndësi gjeneratave të reja dhe rivaliteti është i madh", ka shtuar tutje Enis Kabashi për gazetën "Kosova Sot". Megjithatë, ai nuk e harron asnjëherë Kosovën, derisa sa herë të mundet vjen të luajë kur e thërret Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll. "Sa herë mundem vi të luaj për Kosovën. Normalisht se dëshira ime është që të ndihmoj Kosovën sa më shumë që mundem, dhe sa herë që kam mundësi vi të luaj për Kosovën", është shprehur Enis Kabashi për gazetën "Kosova Sot".

Luajnë edhe për Kosovën

Kohët e fundit, shumë hendbollistë po luajnë në skuadrat evropiane, derisa në Ligën e Katërt të Bavarisë në Gjermani, gjithashtu paraqitet edhe Florim Hoxha. Ai paraqitet për skuadrën SV Anzing. Gjithashtu edhe hendbollisti i njohur me nofkën 'Pizha', thekson se punon dhe luan në Gjermani. "Kushtet në Gjermani janë shumë të mira. Si të punës, ashtu edhe për të luajtur. Unë edhe punoj edhe luaj, dhe nuk e kam problem që t'i bëj të dyja në të njëjtën kohë", ka theksuar ish-hendbollisti i Prishtinës dhe Dritës për gazetën "Kosova Sot". Gjithashtu edhe Hoxha ishte njëri nga hendbollistët më të mirë në Superligën e Kosovës në hendboll, dhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në hendboll. "Mundohem që sa herë të mundem të luaj për Kosovën. Sigurisht se ekziston dëshira e madhe për të ndihmuar Kosovën dhe shpresoj se do të kemi edhe më shumë suksese në të ardhmen", ka nënvizuar Florim Hoxha për gazetën "Kosova Sot". Edhe disa hendbollistë të tjerë kanë ndjekur këtë rrugë, dhe në pamundësi që të kenë kushte më të mira në Kosovë, kanë vendosur të punojnë dhe të luajnë në ligat evropiane.

(Kosova Sot)

11 orë e 0 minuta më parë
16/01/18
aaaaaaaa