KRYEPLAKU I SUPERLIGES

  • 02 January 2018 - 10:15
KRYEPLAKU I SUPERLIGES

FUTBOLLISTI I DRENICËS, SAMI GECI NUK E KA NDËRMEND TË DORËZOHET

23 vite karrierë e bëjnë atë të veçantë në futbollin tonë

"Kam filluar të luaj futboll në sezonin 1993/94 dhe sa mbaj mend lojën e parë e kam luajtur kundër Trepçës. Them të drejtën nuk kam besuar kurrë se do të luajë kaq gjatë", ka thënë në rrëfimin ekskluzivë për gazetën "Kosova Sot", kapiteni legjendar i Drenicës, Sami Geci

Drenica njihet si një vend që ka nxjerrë në horizont njerëz me vlera të mëdha, kontributi i të cilëve nuk mund të matet as me flori. Meqenëse këtë herë po flasim për sport, kjo trevë nuk qëndron anash as në këtë aspekt. "Drenica heroike" mund të mburrët me një sportist, kontributi i të cilit është dhe vazhdon të jetë shumë i madh për futbollin e Kosovës. Fjala është për futbollistin Sami Geci i cili plot 23 vite ka derdhur djersë nëpër fushat e futbollit të Kosovës. Sot ai është imazh i shumë të rinjve, ndërsa mund të jetë ndër të paktët që vazhdon të duartrokitet jo vetëm nga tifozët vendas por edhe ata mysafirë. Geci këtë vit do t'i gëzojë 45 vjet, derisa bashkëmoshatarët e tij në këtë kohë, krejt çfarë mund të bëjnë është të shkojnë në stadium dhe ta shikojnë duke luajtur atë, pasi ata kaherë i kanë vërë këpucët në gozhdë. Samiu e ka të vështirë të mbajë në mend emocionet që i ka dhënë ndeshja e parë, pasi ka ndodhur para 23 viteve dhe në kohën kur ka luajtur ai, gjendja ishte aq e vështirë sa askush nuk e dinte çfarë do të ndodhë ditën e nesërme. Geci i cili përveçqë që u sjell emocione tifozëve drenicas, ai përkujdesët edhe për sigurinë e tyre, pasi tash e një kohë është pjesëtar i Policisë së Kosovës, uniform kjo që e bën të ndihet krenar me atë që bën për qytetarët e tij. Geci në një rrëfim ekskluziv për gazetën "Kosova Sot", tregon për aventurën, përjetimet, gëzimet dhe zhgënjimet që ka pasuar gjatë këtij rrugëtimi në futbollin kosovarë.

Debutimi

"Kam filluar të luaj futboll në sezonin 1993/94 dhe sa mbaj mend lojën e parë e kam luajtur në pozicionin e mbrojtësit kundër Trepçës në stadiumin aktual të Drenicës", kujton Geci i cili kurrë nuk e kishte besuar se nga ajo ndeshje do të kalojnë edhe 23 vite të tjera dhe ai do të derdhë prapë djersë në stadiumin e qytetit të Drenicës. "Të them të drejtën nuk kam menduar që do të luaj kaq gjatë. Mirëpo për të pasur një karrierë të gjatë si futbollist varën shumë faktorë si: mos të kesh lëndime, duhet të jesh i disiplinuar në ushtrime dhe lojë të punosh me shpirt që çdoherë të jesh i përkushtuar që të arrish sa më lartë në lojën e futbollit. Unë kam vepruar kështu dhe ja ku jam sot", ka thënë Geci. "Është fat i mirë që ta shijosh lojën e futbollit kaq gjatë sa kam luajtur unë, sepse pakkush mund të luaj deri në këtë moshë, por fal përkushtimit dhe pasionit që kam për lojën e futbollit dhe fal shëndetit të mirë që kam pasur, ja kam arritur që të luaj deri në këtë moshë", tha futbollisti kuqezi i Drenicës, i cili për një kohë ishte pjesë edhe e Prishtinës.

Respekti dhe forma

Loja e bukur si dhe sjellja tejet korrekte ndaj kundërshtarëve të tij, ka bërë që respekti për Samiun të jetë maksimal. Nuk mbahet mend që ai të ketë pasur telashe me kundërshtarët, pavarësisht se jorrallë kanë hasur në ndeshje ku tensioni ka qenë shumë i lartë. "Sjellja e lojtarëve të rinj ndaj meje është shumë e mirë. Të them të drejtën jam shumë i respektuar nga ana e tyre jo vetëm në klubin tim, po edhe nga futbollistët nëpër klubet tjera të Superligës", ka thënë Geci, duke kujtuar periudhën më të mirë në karrierë. "Periudha kur jam ndjerë më së miri ka qenë mosha 25 deri 33 vjeçare, kohë kjo që e kam pasur në nivel të lartë forcën fizike, eksplozivitetin e shumë gjëra të tjera të mira që kam mundur t'i jap lojës së futbollit", vlerësoi për gazetën "Kosova Sot", Sami Geci.

Uniforma e policisë dhe fanella e Drenicës

Geci përveçqë është i veçuar nëpër fushat e futbollit, ai është i veçuar edhe për një fakt tjetër. Kontributi i tij në uniformën e policisë është shumë i madh, derisa qytetarët e vlerësojnë lartë sjelljen e tij. Samiu e ka të vështirë të dallojë se cila ka peshë më të madhe, por e pranon se në fanellën kuqezi ka ndjenja të jashtëzakonshme. "Të bartësh uniformën e policisë së Kosovës është privilegj dhe kënaqësi pasi që je gjithmonë në shërbim të qytetarëve, ndërsa fanella e Drenicës ka një peshë dhe ndjesi të veçantë sepse të jep emocione të pa harruara dhe të bën ta ndjesh në zemër kur e veshë atë", ka thënë Geci.

Përfundimi i karrierës

Çdo fillim ka një fund. Ka shumë vite që Gecit i bëhet e njëjta pyetje në fund të çdo sezoni. "A do të jetë ky edicioni i fundit në karrierë?". Ai e di që një ditë duhet të ndahet nga fusha e futbollit dhe nga fanella e Drenicës, por thotë se e njëjta pyetje do t'i bëhet edhe vitin e ardhshëm pasi tashs për tash nuk e ka ndërmend të ndalet. "Është e vërtet që nganjëherë mendoj për përfundimin e karrierës, por duke parë se forma fizike e imja qëndron ende mirë, dhe duke parë se ekipi i Drenicës këtë stinor po tregon se ka një ekip cilësor, që me një organizim më të mirë mundet edhe të luftojë për kreun e tabelës, atëherë assesi nuk mund ta lë në gjysmë këtë rrugëtim. Unë do të fokusohem që ta jap maksimumin tim edhe në pranverë e pastaj të shohim si do ta kem gjendje fizike. Nëse do të jem kështu edhe nëse i nevojitëm edhe me tutje Drenicës do të vazhdojë edhe për një sezon", ka thënë Geci për "Kosova Sot".

Mesazhi dhe këshilla

''Sigurisht që kam mesazh për futbollin e Kosovës dhe unë ju them se, nëse doni të keni futboll cilësor dhe shikueshmëri më të madhe në stadiumet tona, atëherë investoni në infrastrukturë dhe në qëndrueshmërinë financiare te klubeve. Nëse këto rregullohen mendoj se do të shohim një futboll krejt ndryshe nga ai që jemi duke e luajtur deri me tani. Sa i përket këshillës për futbollistët e rinj, se pari duhet të jenë të disiplinuar, ta duan dhe ta respektojnë punën që e bëjnë, të sakrifikojnë shumëçka që të arrijnë sa më lart në karrierën prej futbollisti, se vetëm kur vjen koha e përfundimit të karrierës, atëherë e kupton se sa e rëndësishme është të jesh futbollist dhe sa e vështirë është të ndahesh prej tij", ka përfunduar rrëfimin e tij Sami Geci.

(Kosova Sot)