Më mirë letrat sesa topin!

  • 02 January 2018 - 10:20
Më mirë letrat sesa topin!

SHUMË TALENTE BRAKTISIN KOSOVËN PËR NJË JETË MË TË MIRË JASHTË VENDIT

Tri herë golashënuesi më i mirë e la Kosovën për martesën

"Sigurisht që martesa më ka ndarë nga futbolli i Kosovës, por kjo nuk ka qenë arsyeja e vetme. Kam ardhur në Gjermani me synime për të luajtur dhe për të arritur shumë më shumë. Kam ëndërr që të luaj në ndonjë klub të madh këtu në Gjermani dhe shpresoj ta arrij", ka thënë "Këpuca e Artë" e Kosovës, Blerand Kurtishaj

Futbolli është sport atraktiv, i cili të ofron emocione që ndoshta askund tjetër nuk mund t'i përjetosh, megjithatë në Kosovë, futbolli shikohet me një sy tjetër. Infrastruktura e dobët, e mbi të gjitha financat për gjynah, po bëjnë që talentet tanë të qajnë "gur e dru", vetëm që të gjejnë një mënyrë për të ikur nga këtu. Jo të gjithë mund ta kenë fatin e Milot Rashicës, i cili nga Kosova e Vushtrrisë kaloi tek Vitesse në kampionatin holandez. Shumë talente tek ne kanë zgjedhur martesën jashtë vendit për të ikur nga këtu. Njëri ndër ta është futbollisti i mirënjohur, Blerand Kurtishaj, golat e të cilit po i mungojnë dhe do t'i mungojnë futbollit kosovar në të ardhmen. Vetëm një edicion më herët Kurtishaj mori çmimin nga FFK-ja si golashënuesi më i mirë në Kosovë, çmim këtë që e kishte marrë edhe dy herë më parë, por kjo nuk mjaftoi që ai të joshet për të vazhduar këtu, duke vendosur që të martohet për të jetuar në Gjermani. "Sigurisht që martesa më ka ndarë nga futbolli i Kosovës, por kjo nuk ka qenë arsyeja e vetme. Kam ardhur në Gjermani me synime për të luajtur dhe për të arritur shumë më shumë. Kam ëndërr që të luaj në ndonjë klub të madh këtu në Gjermani", ka thënë në një rrëfim ekskluzivë për gazetën "Kosova Sot", Blerand Kurtishaj.

Malli për shokë

Sulmuesit nga Theranda meraku më i madh i mbetet fakti se nga futbolli i Kosovës u desh të ndahet në momentet më të mira të karrierës, dhe se është i bindur që sikur të vazhdonte do të mund të arrinte edhe më shumë. Ai e kujton ndarjen si një moment shumë të vështirë, por ja që u desh të mendojë më shumë për të ardhmen dhe duket se e ardhmja më e mirë ishte largimi nga Kosova. "Ka qenë shumë e rëndë për mua që ta lë futbollin në Kosovë për të ardhur këtu në Gjermani. Jam rritur me futbollin kosovar dhe kam përjetuar gjithçka, mirëpo, jeta po të dërguaka në vende të ndryshme. Unë futbollin nuk e harroj kurrë. Do të vazhdoj edhe këtu me futboll me shpresë se do t'i realizoj ëndrrat e mia", ka thënë për "Kosova Sot", Kurtishaj, i cili e pranon se njëra ndër arsyet kryesore e largimit ka qenë martesa. "Nuk është se jam larguar nga futbolli i Kosovës vetëm për shkak të martesës, edhe pse njëra nga arsyet kryesore ka qenë kjo. Kam ardhur në Gjermani me synime edhe të luaj këtu", ka thënë ish- futbollisti i Trepçës'89, i cili konfirmon se në mendje gjithmonë e ka futbollin tonë. "Më mungon shumë futbolli i Kosovës dhe sa herë të më jepet mundësia me nostalgji i përcjell ndeshjet që luhen atje", tha ish- "Këpuca e Artë" e Kosovës.

Nuk e mendon rikthimi në Kosovë

Duke e parë situatën aktuale në futbollin tonë, Blerandi e ka të vështirë të mendojë rikthimin në ndonjë skuadër kosovare, megjithatë, ai asnjëherë nuk e heq nga mendja futbollin tonë dhe vazhdimisht mban kontakte me ish- bashkëlojtarët. "Asnjëherë nuk i kam shkëputur kontaktet me bashkëlojtarët e mi, por sigurisht me disa mbaj kontakte më të veçuara. Vazhdimisht komunikoj me Argjend Mustafën me të cilin jam rritur dhe e cilësoj si shok të jetës. Me të flas për gjithçka që po ndodh atje në futbollin e Kosovës", ka thënë Kurtishaj, të cilit dhimbje më të madhe i shkakton fakti që u desh të largohej nga Kosova në momentin kur ka mundur të fitojë shumë më shumë. "Ëndrra ime e paplotësuar në futbollin e Kosovës është fakti që jam larguar në kohën kur besoj se kam mundur të fitoj shumë më shumë", ka thënë për "Kosova Sot" sulmuesi therandas, i cili kthimin në Kosovë tash për tash e sheh të pamundur. "Për momentin, dhe në një të ardhme të afërt nuk e shoh të mundshëm rikthimin në Kosovë, por jetës nuk i dihet. Po punojë shumë që të arrij majat e futbollit këtu në Gjermani, që një ditë të vesh fanellën e Kombëtares", ka përfunduar Blerand Kurtishaj. 

(Kosova Sot)