Duhet urgjentisht investime në sport

  • 03 January 2018 - 08:54
Duhet urgjentisht investime në sport

SPORTISTËT PRESIN SHUMË NGA KY VIT

Të ketë më shumë punë, e jo vetëm premtime

Në vitin që lamë pas, sportistët u ballafaquan me shumë probleme. Ndër kryesoret ishin infrastruktura e dobët, dhe problemet financiare. Sportistët presin që në këtë vit të ketë më shumë investime dhe të eliminohen këto probleme, në mënyrë që të ketë edhe më shumë sukses në garat ndërkombëtare

Në vitin 2017, sportistët dhe klubet u përballën me shumë probleme, ku ndër kryesoret ishin problemet me infrastrukturë dhe financiare. Në këtë vit shpresohet të ketë më shumë investime, dhe të tejkalohen problemet. Në vitin që lamë pas gjithashtu munguan edhe sukseset në arenën ndërkombëtare, por pa infrastrukturë të mirëfilltë vështirë se mund të ketë suksese. Kosova ka një rini të shëndoshë me shumë talente, megjithatë, nevojiten kushte shumë më të mira dhe trajnerë profesionistë për të punuar me ta, dhe sigurisht se suksesi do të jetë i garantuar. Në një shoqëri me një rini të shëndosh, mungojnë investime e mëdha. 

Sporti, jashtëzakonisht i rëndësishëm në shoqëri

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi është shprehur se ky vit duhet të jetë i suksesshëm në sportin e Kosovës. "Ky vit duhet të jetë medoemos i kthesave të mëdha, në kuptimin pozitiv të zhvillimit të sportit dhe sportistëve, e jo vetëm të ketë premtime të kota. Sporti është jashtëzakonisht i rëndësishëm në një shoqëri, andaj shpresojmë institucionet se, do t'i qasen shumë më seriozisht zhvillimit të sportit dhe të ketë më shumë investime. Në një shoqëri normale, sporti është shumë i rëndë- sishëm, që ndikon në shëndetin e njerëzve dhe veçanërisht te të rinjtë. Gjithashtu në shoqërinë e sotme kemi shumë fenomene negative, si alkooli dhe droga, dhe mënyra e vetme për t'u larguar nga këto probleme është marrja me aktivitete të ndryshme sportive. Pa pasur sport të zhvilluar, nuk ka as shoqëri të zhvilluar. Të rinjtë e Kosovës janë shumë të talentuar, vetëm nevojiten kushte më të mira dhe shumë më shumë punë. Kemi një rini të shëndoshë, por nevojiten investime. Sikur të kishte më shumë investime, edhe të rinjtë do të largoheshin nga problemet e rrugëve", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". 

Investimi është sukses i garantuar

Nëse investohet në sport, është i garantuar suksesi, dhe sporti i Kosovës ka nevojë për shumë investime, madje të jetë një nga top prioritetet e institucioneve qendrore. "Urgjentisht duhet investuar në sport, sidomos në infrastrukturë dhe atëherë do të kemi një shoqëri të shëndetshme. Kjo duhet të jetë objektiva e vetme e shtet-ndërtimit. Të investohen shuma marramendëse parash në zhvillimin e sportit në tërësi. Me siguri se ato investime do të kthehen në mënyrën më të mirë të mundshme për vendin tonë. Të investosh direkt në sport, do të thotë të kesh më pak investime në shëndetësi dhe kjo të kthehet si bumerang: 'Në trupin e shëndosh, mendja e shëndosh'. Pa investime në sport, vështirë se mund të ketë suksese edhe në arenën ndërkombëtare. Kjo ndodh te sportet ekipore, pasi në Kosovë përballen me shumë telashe, dhe e kanë vështirë të krahasohen me skuadrat evropiane, që janë shumë më të përgatitura", ka deklaruar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Pikërisht në vitin e kaluar munguan sukseset në arenën ndërkombëtare në sportet ekipore, pasi klubet përballen me shumë telashe.

(Kosova Sot)