Nainggolan përfundon në bankën rezervë shkau i cigares dhe alkoolit

  • 03 January 2018 - 17:44
Nainggolan përfundon në bankën rezervë shkau i cigares dhe alkoolit

Festimet Vitit të Ri shpesh të bëjnë që të rrëmbehesh dhe me gotat që rrëkëllehen një nga e një humbet edhe kontrollin. Nga kjo gjendje nuk shpëtojnë edhe ata që kanë një regjim të hekurt, siç janë futbollistët. Një prej tyre nuk u përmbajt dot, Radja Nainggolan.

Futbollisti belg i Romës u shfaq në Instagram në gjendje të dehur natën e ndërrimit të viteve dhe një gjë e tillë nuk i ka pëlqyer drejtuesve të skuadërs verdhekuqe. Mesfushori është vënë nën akuzë dhe me shumë gjasa nuk ka për t’i shpëtuar një ndëshkimi shembullor nga skuadra. Në Trigoria ai do të ballafaqohet me trajnerin Di Francesco, Drejtorin e Përgjithshëm Baldissoni dhe Drejtorin Sportiv Monchi.

Klubi i ka kërkuar paraprakisht futbollistit që të kërkojë falje publike me një postim në rrjetet sociale, ndërsa më parë ai ka fshirë të gjitha postimet e tij ku shfaqej duke pirë alkool dhe cigare.

Për Nainggolan mendohet që përveç gjobës monetare, ai mund të qëndrojë në stol në ndeshjen e radhës kundër Atalantës. Trajneri Di Francesco nuk i toleron këto veprime dhe ai e tregoi një gjë të tillë edhe me pak ditë më parë me Daniele De Rossin, për gjestin antisportiv ndaj Lapedulës.

Disiplina mbi të gjitha, por nga ana tjetër duket se kjo do të jetë edhe një lëvizje e mirë nga ana e skuadrës, pasi Nainggolan është në listën e të ndëshkuarve dhe do të rrezikonte të humbiste ndeshjen e San Siros me Interin javën e ardhshme.

(Kosova Sot)