FFK-ja t'i kushtëzojë klubet

  • 09 January 2018 - 08:48
FFK-ja t'i kushtëzojë klubet

KRIZA FINANCIARE PO E VËSHTIRËSON EKZISTENCËN E FUTBOLLIT NË KOSOVË

Disa klube rrezikojnë të mos startojnë fare në pranverë 

Futbolli kosovar vazhdimisht është përballur me probleme të mëdha si nga ana financiare, ashtu edhe në atë organizative e me theks të veçantë edhe në infrastrukturë. Tash kur jemi pjesë e UEFA-s e FIFA-s është besuar se organizimi i klubeve do të jetë shumë më i mirë, por ja që gjërat nuk kanë ndryshuar aspak, edhe pse tash jemi pjesë e garave ndërkombëtare. Si kurrë më parë, sivjet stinori pranveror rrezikon të nisë i përgjysmuar, kjo pasi disa skuadra po përballen me telashe të mëdha financiare. Skuadra e fundit në tabelë, Vllaznia të gjithë futbollistët e ekipit të parë i ka liruar duke treguar qartë se tashmë është dorëzuar sa i përket mbijetesës dhe dilema mbetet nëse kjo skuadër do të mund të gjejë forcë së paku për të garuar në elitë qoftë edhe me futbollistë juniorë, ashtu siç bëri Besa në një pjesë të madhe të stinorin vjeshtor. Në të njëjtën situatë duket të jetë edhe Besa e hiq më mirë nuk është edhe Vëllaznimi i Gjakovës, ku këtë e konfirmoi edhe presidenti i klubit, Shkëlzen Gashi i cili e pranoi se i vetëm si investitor nuk mund t'i sigurojë pagat futbollistëve. Edhe Besa po kalon momente të tmerrshme. Derisa shumica e skuadrave kanë nisur përgatitjet lojtarët e Besës së Pejës nuk kanë asnjë informatë se kur do të nisin ato. Trajneri i mirënjohur kosovar, Agron Selmani në një bisedë për gazetën "Kosova Sot" e pranon se situata nuk është e mirë, derisa ka thënë se FFK-ja duhet të krijojë një strategji që në ta ardhmen klubet mos të përballen më telashe të tilla.

Kushti për klubet

"Stabiliteti financiar është një kusht apo standard i domosdoshëm për rregullshmërinë e garave kampionale në Superligën e Kosovës. FFKja do të duhej të mendojë në këtë drejtim dhe të mos lejojë që klubet që nuk kanë stabilitet financiar të rrezikojnë procesin normal të garave", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", trajneri kosovar Agron Selmani, duke theksuar se klubet duhet të kushtëzohen përmes një deponimi të një shume të hollave në bankë, para fillimit të kampionatit në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtja e garave. "Nuk e di se si është e mundur, por një fond apo garancion bankar do të duhej ta kenë të gjitha klubet që do të ishte një dëshmi se nga ana financiare ato klube janë të mbuluar në minimumin e mundshëm apo të toleruar", ka thënë Semlani.

Tërheqja nga garat e prish kampionatin

Kriza e madhe që e ka kapur Vllazninë, Vëllaznimin e Besën ka bërë që konkurrenca në luftë për mbijetesë të zbehet maksimalisht, megjithatë shqetësimi më i madh është nëse ndonjëra nga këto klube mund të tërhiqet para kohe nga garat, çka do ta prishte maksimalisht imazhin e futbollit karshi UEFAs e FIFA-s. "Tërheqja e ndonjë klubi nga garat për arsye financiare nënkupton apo është ndërhyrje direkte në rregullshmërinë e garave, sepse në cilëndo forme prejudikohen apo ndikohet në renditjen tabelare", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Agron Selmani i cili e parasheh një stinor pranveror bukur të vështirë. "Pranvera e futbollit në Kosovë do të jetë e vështirë, me rivalitet si në fushë ashtu edhe në aspektin financiar", ka përfunduar Agron Selmani.

(Kosova Sot)