Plepolli: "Lehtë me folë e me premtu, por vështirë me realizu"

  • 10 January 2018 - 08:48
Plepolli:

AFATI KALIMTAR PO NXEHET, POR ANALISTËT NUK PRESIN SPEKTAKËL

Në ditët e ardhshme, shpresohet në lëvizje që do të zgjojnë më shumë vëmendjen

Ishte paralajmërua se ky afat kalimtar për futbollistë do të jetë tejet interesant dhe joshës, por gjërat tash për tash nuk po duken të jenë ashtu. Kur jemi në ditën e 11-të të afatit kalimtar klubet kanë nisur të bëjnë disa lëvizje, megjithatë analistët e futbollit nuk po pi cilësojnë këto si transfere bombastike që mund ta ndryshojnë për të mirë futbollin. Deri më tash më aktive është Trepça'89, e cila në bankinë ka sjellë një trajner bukur të njohur si Gugash Magani, që ka përvojë të madhe në kampionatin e Shqipërisë, derisa ka paralajmëruar edhe përforcime të mëdha nga jashtë, madje edhe lojtarë të kombëtareve të njohura. Mirëpo, këto mbetet për t'u parë. Lëvizje spaktakolare është pritur të kemi edhe nga Prishtina, Feronikeli e Drita, por këto ende nuk kanë dhënë shenja për lëvizje të tilla. Për njohësin e mirë të futbollit Arsim Plepolli deri tash nuk ka sinjale se futbolli ynë po përmirësohet. Ai i quan lëvizjet e deritashme jo spektakolare dhe beson se nuk do të ndikojnë në ngritjen e futbollit.

Premtimet nuk po mbahen

Para, fillimit të afatit kalimtar drejtuesit e klubeve tona kanë paralajmëruar prurje cilësore nga jashtë, por tash për tash nuk kanë ndodhur, madje edhe këto lëvizje që po i bën kampioni aktual Trepça'89 mbetet për t'u vlerësuar më vonë, më shpresë se nuk do të jenë si ato në të kaluarën kur shumica prej tyre ktheheshin ende pa bërë një muaj në futbollin kosovar, pasi nuk shfaqnin aspak cilësi."Është folë shumë po deri tani po shohim që lëvizje ka shumë pak. Lehtë është me folë e me premtu, por është vështirë me realizu", ka thënë Plepolli për gazetën "Kosova Sot", duke thënë se tash për tash nuk mund të themi se kemi një afat të pasur kalimtar. "Unë ende nuk pashë ekip deri tani që ka bërë transferë që vlen të përmendet, tregu nuk është shumë i pasur me lojtarë vendorë", ka thënë Plepolli.

Cilësia po stagnon

Sipas ish-futbollistit të njohur kosovar, me këtë punë që po bëhet tash në klubet tona është shumë vështirë të besohet se do të kemi një ngritje të cilësisë në stinorin pranveror, çka i bie se do të kemi një pranverë ashtu siç kishim shumë pranvera në të kaluarën me rivalitet, por pa cilësi të kënaqshme. "Unë them prapë, për ngritjen e cilësisë na duhen përforcime jashtë vendit dhe ato shumë më të mira sesa këto vendore që i kemi, ndryshe nuk mund t'i quaj përforcime", ka thënë për "Kosova Sot" Arsim Plepolli, i cili po beson se në ditët në vazhdim të afatit kalimtar qasja do të ndryshojë dhe ndonjë klub mund të na befasojë me ndonjë lëvizje të madhe. "Pritet të shihet çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme. Sa u përket lëvizjeve nga jashtë që ka bërë Trepça'89, duhet të presim dhe t'i shohim për t'i vlerësuar, por për mua personalisht nuk po duken lojtarë kualitativë. Shpresoj që nga Skënderbeu do të marrin ndonjë futbollist, kur dihet se Trepça'89 dhe Skënderbeu kanë një bashkëpunim të mirë dhe unë po besoj se aty është rasti të marrin ndonjë lojtar që mund të bënte diferencën", ka përfunduar Arsim Plepolli.

(Kosova Sot)