Një pranverë ndryshe

  • 10 January 2018 - 08:52
Një pranverë ndryshe

DISA SKUADRA JANË PËRFORCUAR, E DISA JANË DOBËSUAR

Stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në basketboll është karakterizuar si shumë i dobët, sa i përket cilësisë dhe shikueshmërisë. Kjo vështirë se do të ndryshojë në atë pranveror, edhe pse skuadrat kanë bërë ndryshime. Sigal Prishtina ka larguar të gjithë lojtarët e huaj, duke përfshirë edhe trajnerin Ahmet Kandemir, kurse Pejës i janë larguar vendorët më të mirët që i kishte, ashtu si edhe trajneri Bujar Loci. Te Bashkimi ende mbetet një situatë e paqartë, kurse për stinorin pranveror janë përforcuar Trepça, Golden Eagle Ylli dhe Rahoveci. Të tri këto skuadra synojnë "Play-off"-in, duke shfrytëzuar krizën e pejanëve. Me ndryshimet e fundit pritet një pranverë interesante se, kush do të kualifikohet në gara përfundimtare, dhe si do të 'thyhet' renditja e katërshes së madhe.

Prishja e traditës

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, thotë se pranvera do të jetë interesante, pasi skuadrat hynë për befasi, duke shfrytëzuar edhe krizën e skuadrave të mëdha. "Do të jetë një stinor interesant. Golden Eagle Ylli, Rahoveci dhe Trepça do të synojnë të hynë në garat përfundimtare dhe më në fund do të 'prishet' renditja e katërshes së madhe. Këto skuadra kanë bërë përforcime, dhe kjo është pozitive, sidomos tani duke parë krizën e basketbollit kosovar dhe duhet përgëzuar donatorët për interesimin që e shprehin", është shprehur në fillim Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Ai thekson se Peja do të jetë edhe më e dobët në pranverë. "Nuk kemi çfarë të presim më shumë nga skuadra pejane, me gjithë ato largime. Tani në pranverë do të kenë edhe më vështirë dhe besoj se do të mundohen që të mos bien nga Superliga", ka theksuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Nga Peja në drejtim të Ylli u largua Leonard Mekaj, kurse dy lojtarët Arti Hajdari e Arian Qollaku, si dhe trajneri Bujar Loci, shkuan te Rahoveci. Kjo e fundit është përforcuar edhe me dy lojtarë të huaj.  

Synojnë befasi

Krasniqi ka shtuar se Ylli do të jetë një nga befasitë e pranverës, që jo vetëm do të tentojë për të hyrë në garat përfundimtare, por edhe të luftojë për titull. Trajneri i basketbollit është i kënaqur që Trepça ka bërë disa përforcime dhe do të jetë më e fortë në pranverë. "Trepça në vitet e fundit është përballur me shumë probleme, dhe ka qenë para kolapsit, pasi nuk është menaxhuar si duhet. Sikur t'i mbante të gjithë lojtarët vendorë, do të dominonte për vite të tëra në basketbollin e Kosovës. Tani situatë në skuadrën mitrovicase është krejtësisht tjetër dhe besoj se do të luftojnë për të hyrë në garat përfundimtare. Nëse menaxhohet situatë mirë, atëherë Trepça do të jetë shumë më konkurruese në stinorin pranveror, dhe kështu do të kemi një kampionat më interesant, edhe pse ky edicion i fundit ka qenë shumë i dobët sa i përket cilësisë dhe shikueshmërisë", ka nënvizuar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Trepça ka rikthyer vendorët e saj Samir Zekiqi, Arian e Imer Tahiri, Besnik Azemi, si dhe është përforcuar me amerikanin Jordan Reed. 

(Kosova Sot)