Kukësi në ankth! UEFA vendos sot të ardhmen e tyre

  • 03 August 2015 - 17:10
Kukësi në ankth! UEFA vendos sot të ardhmen e tyre

Ankthi i Kukësit për të marrë vesh se çfarë do të ndodhë me ndeshjen e ndërprerë kundër Legias së Varshavës merr fund sot. Prej ditës së enjte, kur në stadiumin “Qemal Stafa” takimi u ndërpre në minutën e 52-të për shkak të goditjes në kokë të lojtarit mik, Ondrej Dudës nga tifozët e vendosur në Tribunën D2, nënkampionët e Superligës kanë pritur me padurim datën 3 gusht.

Kjo pas njoftimit të UEFA-s, se vendimi për këtë çështje do të zbardhej pikërisht sot nga Komisioni i Disiplinës pranë këtij organi. Sfida kundër Legia Varshavës është pasuar nga shumë çështje të tjera, që nga ironia e futbollistit sllovak të ekipit polak që postoi një ditë pas ndeshjes një foto në “facebook” dhe ku dukej në formë optimale, deri te deklarata e presidentit të Kukësit, Safet Gjicit, i cili u shpreh për “Sport Ekspres” se mund të largohet nga verilindorët drejt në një tjetër ekipi shqiptar.

Një gjë e tillë, sipas kreut të klubit kuksian do të ndodhte nëse UEFA vendos masa ekstreme ndaj nënkampionëve. Një deklaratë e tillë nuk mbeti pa u komentuar edhe nga tifozët e skuadrës nënkampione të vendit, të cilët në rrjetet sociale kanë nisur të merakosen nga një largim i mundshëm i bosit të skuadrës së tyre.

Por nuk janë vetëm tifozët që janë “trazuar” pas dyzimit të Safet Gjicit për të vijuar ose jo investimin e tij te Kukësi, pasi edhe për lojtarët që janë nën kontratë me skuadrën verilindore, një lajm i tillë ka qenë e papritur./Sport Ekspres

–Akuzat e UEFA-s për Kukësin:

Braktisje të ndeshjes / Neni 24 i Rregullores së Europa League, shkaktuar nga hedhja e objekteve piroteknike dhe sendeve të forta në fushë, të cilat dënohen sipas neni 16/2 pika b dhe c në Rregulloren e Disiplinës së UEFA-s.
Trazira të shkaktuara nga turma (që në këtë rast i referohen tifozëve të Kukësit) Neni 16/ 2 pika h e Rregullores së Disiplinës së UEFA-s.
Banderolë e paligjshme Neni 16/ 2 pika d e Rregullores së Disiplinës së UEFA-s.

 

-Akuzat e UEFA-s për Legian e Varshavës:

Hedhje e sendeve Neni 16/ 2 pika c e Rregullores së Disiplinës së UEFA-s.