Chelsea, bllokohet plani për stadiumin e ri – familja ankohet se “ia zë dritën e diellit”

  • 12 January 2018 - 18:05
Chelsea, bllokohet plani për stadiumin e ri – familja ankohet se “ia zë dritën e diellit”

Plani i Roman Abramovich për ndërtimin e stadiumit të ri të Chelseat në vlerë 1 miliardë funte, është bllokuar nga një familje, e cila është ankuar se “ia zë dritën e diellit shtëpisë së tyre”.

Një miliardë funte, kaq do të kushtojë stadiumi i ri i Bluve të Londrës që duan të bëjnë një stadium gjigant për të ardhmen me dëshirë të pronarit, Roman Abramovich.

Sido që të jetë, kjo tani për tani është ndërprerë pasi nuk ka marr dritën e gjelbër nga të gjithë banorët përreth. Një familje është ankuar se stadiumi i ri “ia zë dritën shtëpisë së tyre”, raporton Daily Mail.

Familja Crosthwaites ka jetuar në këtë shtëpi në perëndim të Londrës për 50 vjet dhe është aq afër stadiumit Stamford Bridge sa mund ta futësh topin në stadium nga oborri i shtëpisë, shkruan Daily Mail.

Familja katër anëtarësh beson se stadiumi që pritet të ketë kapacitet prej 60 mijë ulëseve do të krijojë hije të përhershme në shtëpinë e tyre.

Lejen për stadiumin e ri e ka nënshkruar majori i Londrës një vit më parë, por Chelsea i ka kërkuar këshillit lokal që të intervenojë dhe ky këshill pritet që të hënën të takohet për të vendosur se çfarë do të ndodhë.

Klubi i ka thënë këshillit lokal se punët nuk mund të vazhdojnë nëse ka rrezik nga një vendim gjyqësor për këtë çështje.

Nëse gjithçka shkon ashtu siç është planifikuar dhe arrihet marrëveshje me familjen që ankohet, atëherë punimet pritet të përfundojnë në vitin 2024.

Kapaciteti aktual i Stamford Bridge është 41,663 dhe qëllimi është që të bëhet me 60,000 ulëse. 

(Kosova Sot)