Kur stërvitjet diktohen nga moti

  • 16 January 2018 - 08:58
Kur stërvitjet diktohen nga moti

INFRASTRUKTURA E DOBËT NË VENDIN TONË PO IMPROVIZON PUNËN E TRAJNERËVE

Futbollistët kosovarë vazhdojnë të përballen me kushte të këqija

P ër dallim nga vitet e kaluara, këtë herë kampionati i Kosovës në futboll shumë më herët, kjo për t'ju përshtatur edhe orareve të FIFA-s e UEFA-s. Është mesi i muajit shkurt, saktësisht 13 shkurti, që edhe bën hapjen e stinorit të sivjetmë në futboll, çka i bie që klubeve tona iu ka mbetur edhe një muaj kohë për t'u stërvitur në mënyrë që të jenë të gatshme për fillimin e garave. Në fakt, një muaj kohë duket të jenë të mjaftueshme, mirëpo, duke e parë infrastrukturën në vendin tonë, lojtarët frikësohen se nuk do të mund të përgatiten sa duhet. Futbollisti më përvojë, Taulant Dajaku e pranon se në këto kushte ku stërvitin dhe në këtë mot të ftohtë, është e pamundshme të realizojnë planin e punës. Gjithsesi, si për Dajakun ashtu edhe për futbollistin e Gjilanit, Armend Thaçin është motivi i madh tek lojtarët që i shtynë të përballojnë çdo sfidë dhe të stërviten si duhet.

Dajaku: Stërvitja jashtë vendit, alternativa e vetme

Për futbollistin e mirënjohur të Drenicës, Taulant Dajaku në këtë kohë është pothuaj e pamundur të stërvitësh si duhet, dhe se nëse dëshirojnë lojtarët që ta arrijnë 100 për qind të jenë të gatshëm për fillimin e kampionatit, atëherë është e domosdoshme shkuarja jashtë vendit, ndryshe është e pamundshme të arrish përgatitjen maksimale. Gjithsesi, Dajaku ka thënë se fatmirësisht deri tash moti ka qenë aleat i lojtarëve, por me përkeqësimin e tij, gjërat do të vështirësohen, pasi edhe shëndeti vihet në rrezik. "Për fatin e mirë, deri tani ka qenë një dimër jo aq agresiv. Por, tash me reshjet e borës ka filluar moti të acarohet dhe mendoj se stërvitjet do të bëhen më të vështira, pasi rrezikojmë edhe të ftohemi, nëse do të vazhdojmë të punojmë në ambiente të jashtme", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Taulant Dajaku, duke shtuar se alternativa e vetme në këtë kohë është shkuarja jashtë vendit të përgatitje. "Disa nga ekipet shihet që kanë zgjedhur të bëjnë dy udhëtime për në bregdet dhe është një formë e pranueshme për t'u stërvitur, ndryshe nëse do qëndrohet vetëm këtu do të jetë vështirë për të realizuar stërvitjen në maksimum pasi rrezikohet shëndeti ynë. Sa i përket pyetjes se a do të arrijmë të stërvitemi maksimalisht, unë them se në rast se ikim jashtë vendi tash rishtazi mund të jemi të përgatitur, ndryshe do jetë problem", ka thënë Dajaku.

Thaqi: Vullneti na mban

Njëri nga lojtarët më në formë në stinorin vjeshtor Armend Thaqi ka thënë se, përkundër motit, ata po punojnë shumë dhe kanë vullnet të përballojnë çdo sfidë. Gjithsesi, edhe futbollisti i Gjilanit e pranon se në këto kushte është më vështirë, por kur punohet me vullnet ia dalin. "Stërvitjet po shkojnë shumë mirë me intensitet mjaft të madh, nga dy herë në ditë", ka thënë Thaqi, i cili si përparësi këtë vit e sheh që pushimi ka qenë më i shkurtër. Besoj se do t'ia arrijmë të përgatitemi sa duhet për fillimin e kampionatit, pasi këtë vit kemi pushuar shumë pak. Vetëm 8 ditë kemi qenë në pushim dhe kemi filluar menjëherë me 5 janar, kështu që besoj se do të dalim mirë deri në fillim të garave", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Armend Thaqi. "Unë po besoj nëse vazhdojmë me këtë ritëm nuk do të kemi asnjë telashe për startin e pranverës", ka përfunduar Armend Thaqi.

(Kosova Sot)