S'ka favorit absolut

  • 16 January 2018 - 09:02
S'ka favorit absolut

PËRFORCIMET E SKUADRAVE PËR PRANVERË 

Bardhekaltrit do të kenë më vështirë në IP Superligë 

Skuadra e Sigal Prishtinës dominoi totalisht në stinorin vjeshtor të IP Superligës së Kosovës në basketboll, duke fituar 14 ndeshjet. Të gjitha ndeshjet i fituan me rezultate bindëse. Kjo, edhe duke parë se skuadrat tjera ishin dobë- suar, sidomos Peja dhe Trepça. Megjithatë, për stinorin pranveror Bashkimi dhe Trepça kanë marrë lojtarë të huaj, derisa pa përforcime nuk mbetën as Rahoveci dhe Golden Eagle Ylli. Kjo pritet t'i vështirësojë punët bardhekaltërve, që synon të mbrojë titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës në basketboll. Në situatën më të rëndë mbetet Peja 'e lënë në harresë' nga të gjithë. 

Më vështirë se në vjeshtë

Prishtina e nisi me fitore edhe pjesën pranverore, ku mundi Bashkimin 81:73, ku mysafirët nuk mundën të angazhojnë të gjitha përforcimet, për shkak të mos kompletimit të dokumentacionit. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, ka theksuar se Sigali nuk mund të quhet më favorit absolut. "Përforcimet e skuadrave kanë bërë që Sigal Prishtina nuk mund të quhet tani favorit absolut, edhe pse në ekipin e saj, ka katër basketbollistë që luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll, dhe kjo është dashur që t'i jep një përparësi të madhe në krahasim me skuadrat të tjera. Por, situata ka ndryshuar dhe skuadrat e tjera janë përforcuar dhe nëse për momentin nuk mund të flitet për kualitet, atëherë së paku mund të flasim për rivalitet. Besoj se stinori pranveror do të jetë më interesant se ai vjeshtor dhe do të ketë më shumë rivalitet në fushë", ka thënë Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Sigal Prishtina është e vetmja skuadër pa humbje deri më tani dhe duket se ka siguruar vendin e parë për garat e rregullta, me Bashkimin, që ndodhet pesë pikë prapa saj. Për "Playoff" pritet të luftojnë edhe Rahoveci, Ylli dhe Trepça. Kjo e fundit të dielën me shumë vështirësi mundi Pejën, megjithatë, në bazë të përforcime ka rritur përforcimet për stinorin pranveror.

Kampioni nuk dihet deri në fund

Derisa Prishtina konsiderohej favorite absolute për titull dhe Kupë, kjo situatë duket se ka ndryshuar pak. Prishtinasit nuk kanë marrë lojtarë të huaj, duke u përqendruar vetëm te vendorët. "Kjo e bën pjesën pranverore shumë më me rivalitet dhe interesante. Po ashtu mendoj se kampioni nuk do të dihet deri në fund, ashtu si fituesi i Kupës. Kjo është pozitive për basketbollin e Kosovës, duke marrë parasysh se në stinorin vjeshtor, nuk kishim asnjë derbi, derisa munguan edhe shikuesit në palestrat anembanë Kosovës", ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Në pozitën më të rëndë nga skuadrat e mëdha ka mbetur Peja, që jo vetëm nuk ishte përforcuar për këtë kampionat, por nga verdhezinjtë janë larguar edhe trajneri Bujar Loci, si dhe vendorët Leonard Mekaj, Arti Hajdari dhe Arian Qollaku. Me këto ndryshime që kanë ndodhur te skuadra e Pejës, vështirë se mund të arrijë më shumë në këtë kampionat se mbijetesa. 

(Kosova Sot)