Superligës i ofrohet mundësia e artë për promovim ndërkombëtar

  • 17 January 2018 - 12:43
Superligës i ofrohet mundësia e artë për promovim ndërkombëtar

Kosova ka luajtur shumë ndeshje pas pranimit në FIFA e UEFA. Janë shumë ndeshje nëse krahasohen me ato që përfaqësuesja e futbollit luante para pranimit të Kosovës në këto dy organizata.

Por, Superliga e Kosovës ka pasur përfaqësim fare të vogël në dhjetë ndeshjet kualifikuese dhe në miqësoret me Ishujt Faroe dhe së fundi me Letoninë.

Në ndeshjet kualifikuese për botëror në përfaqësuese ftohej vetëm Bledar Hajdini, si portier i tretë e në pak ndeshje Hajdini u "gradua" në portier të dytë dhe kështu u lirua vend edhe për Visar Bekajn, shkruan sot Koha Ditore.

Në miqësoren e fundit, atë ndaj Letonisë të luajtur në nëntor në Mitrovicë, si zëvendësues e fituan rastin portieri Hajdini e mbrojtësi Armend Thaqi, të cilët debutuan në përfaqësuese.

Dhe në fillim të muajit shkurt dyert e përfaqësueses përnjëherë do të hapen për shumë lojtarë të Superligës. 

Do të jenë 20 lojtarë të klubeve të Vala Superligës së Kosovës në futboll që do të ftohen për miqësoren me Azerbajxhanin, që luhet më 2 shkurt në Antalya të Turqisë.

(Kosova Sot)