Lufta për "Plaay-off''

  • 18 January 2018 - 09:01
Lufta për

PESË SKUADRA NË GARË PËR KATËR VENDE 

Favorizohet Trepça para Rahovecit

Përkundër se u konsiderua një edicion shumë i dobët, lufta për "Play-off" pritet të jetë shumë interesante, sidomos pas përforcimeve që bënë skuadrat në afatin kalimtar. Për katër vendet e para janë në garë pesë skuadra, derisa lufta më e ashpër pritet të zhvillohet ndërmjet Rahovecit dhe Trepçës

Java e parë e stinorit pranveror në elitën e basketbollit solli rezultate të pritura, megjithatë skuadrat me përforcimet e fundit pritet që garën për "Play-off" ta bëjnë shumë interesante. Derisa tri skuadrat e para e kanë 'të sigurt' një vend në garat shtesë për vendin e katërt pritet të luftojnë Rahoveci dhe Trepça. Mitrovicasit kanë tri pikë më pak, megjithatë pritet të hyjnë fuqishëm për një vend në garat e "play-off", derisa besojnë se tifozët e tyre do t'iu japin një ndihmë të madhe.'Xehetarët' morën tre lojtarë të huaj, si dhe rikthyen vendorët, por pa përforcime nuk mbetën as Rahoveci, por edhe Ylli, derisa Sigal Prishtina e ka vendin e parë të sigurt me 30 pikë, kurse edhe Bashkimi nuk pritet të ketë problem, së paku për një vend në 'Play-off'.

Rikthimi i vendorëve, përparësi për mitrovicasit

Lufta për "Play-off" gjithmonë ka qenë interesante dhe kështu mendoj se do të jetë edhe këtë edicion. Kështu shprehet edhe ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi."Besoj se tri vendet e para janë të sigurta (Prishtina, Bashkimi dhe Ylli). Mendoj se lufta do të zhvillohet për vendin e katërt, ndërmjet Rahovecit dhe Trepçës. Mendoj që Trepça me rikthimin e lojtarëve do të ketë një përparësi. Besoj se do të jetë interesant deri në fund, megjithatë, më shumë favoritë i shoh mitrovicasit", ka thënë trajneri i Don Bosko-s për gazetën "Kosova Sot". Sigal Prishtina është e vetmja pa humbje këtë edicion me 30 pikë, duke u ndjekur nga Bashkimi me 25, Golden Eagle Ylli dhe Rahoveci me 24, kurse Trepça ndodhet në vendin e pestë me 21 sosh. 'Xehetarët' në ndeshjen e parë në pranverë mundën Pejën me shumë vështirësi, 87:83. Pejanët nuk janë më të vjetrit, ku i janë larguar shumica e lojtarëve seniorë dhe do të synojnë që të mbesin në elitën e basketbollit edhe për një edicion, me shpresë se do të arrijnë t'i zgjidhin problemet financiare.

Interesant deri në fund  

Për shkak të krizës financiare, shumë skuadra kanë bazuar lojën e tyre me lojtarët vendorë. Spaqi thekson se do të ketë ballafaqime mjaft interesante në stinorin pranveror. "Do të jetë interesante deri në fund, pasi do të kemi përbërje të mira të lojtarëve vendorë. Për këtë fakt, do të ketë ballafaqime reale dhe shumë interesante. Besoj se në vendin e katërt do të përfundon Trepça, edhe për shkak se Rahoveci po eksperimenton me trajner dhe lojtarë. Për këtë arsye i shoh më favorit mitrovicasit. Më ka pëlqyer strategjia që ka ndjekur Trepça, duke i rikthyer lojtarët e saj vendorë. Mendoj se me këtë strategji duhet të punojnë edhe klubet tjera. Lojtarët vendorë nuk duhet të largohen asnjëherë. Trepça do të jetë arrë e fortë për çdo kundërshtar, sidomos në shtëpi, derisa Rahoveci gabimin më të madh e ka bërë me largimin e trajnerit Mark Radoniqi", deklaroi Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Ish-basketbollisti i njohur gjithashtu mendon si shumë analistë të tjerë, se ky mbetet njëri nga edicionet më të dobëta pasluftës në basketbollin e Kosovës