Ambiciet e Bashkimit

  • 21 January 2018 - 10:22
Ambiciet e Bashkimit

PRIZRENASIT LUFTOJNË NË TRI FRONTE 

Portokallinjtë ndërruan trajnerin dhe janë përforcuar me lojtarë të huaj 

Njëra nga skuadrat që gjithmonë ka luftuar për trofe në basketboll është Bashkimi. Prizrenasit kanë bërë shumë ndryshime për stinorin pranveror, duke angazhuar trajnerin grek, Stratos Koukoulekidis, si dhe kanë marrë katër lojtarë të huaj, me shpresë se do të jenë të suksesshëm në Ligën Ballkanike, por edhe në garat vendore. Në BIBL synojnë të paktën çerekfinalen, kurse finalen në Kupën e Kosovës dhe "Play-off"-it të Superligës. 

Përforcimet e mirëseardhura

Kapiteni i kësaj skuadre Qëndrim Biraj ka theksuar se kanë rritur ambiciet për stinorin pranveror, ku beson se do të jenë më të suksesshëm. Por, prizrenasit në mesjavë pësuan nga Blokotehna në Ligën Ballkanike me rezultat 75:91. "Duke e ditur se kemi pasur një ndër ekipet më të kompletuara në Ligën Ballkanike dhe gjithashtu një nga pretendentët kryesorë për të fituar në Ligën Ballkanike, mendoj se kemi pasur një paraqitje të mirë në këtë ndeshje, pasi kemi pasur edhe disa mungesa. Unë kam qenë i lënduar, derisa një përforcim nuk ka luajtur për shkaqe procedurale të Ligës Ballkanike, dhe sigurisht se do të ishte një paraqitje edhe më e mirë. Synimi momental është vendi i gjashtë, që na siguron pjesëmarrjen për fazën tjetër, ku besoj se do të kemi më shumë suksese. Sa u përket garave vendore, ne do të mundohemi që të arrijmë në finalen e Kupës, që realisht do të jetë vështirë, si dhe të kualifikohemi në finale të "Playoff"-it, pasi kemi potencial për t'i arritur këto synime. Sigurisht se përforcimet e fundit do të na mundësojnë që t'i arrijmë këto qëllime, dhe besoj se do të jemi më të fortë se në vjeshtë. Tashmë na presin shumë ndeshje të vështira, megjithatë, besoj se mund t'ia dalim me ekipin që kemi", është shprehur Qëndrim Biraj për gazetën "Kosova Sot".

Humbja nga favoritët

Bashkimi bëri disa ndryshime për në pranverë. Trajneri grek Stratos Koukoulekidis, është i treti në stolin e Bashkimit këtë edicion, kurse morën edhe katër lojtarë të huaj. Ai beson se me kalimin e kohës do të përmirësohen edhe më shumë. "Kemi luajtur kundër ekipit më të mirë për momentin në Ligën Ballkanike. Besoj se me kalimin e kohës do të luajmë edhe më mirë dhe do të arrijmë te fitoret. Ka pak ditë që kam arritur te Bashkimi, ndërsa Blokotehna është favorite për të fituar titullin këtë stinor", është shprehur trajner grek pas ndeshjes së fundit në Ligën Ballkanike. Deri më tani, Bashkimi ka shënuar vetëm dy fitore këtë stinor në BIBL, ndërsa ka regjistruar pesë humbje. Xhiron që vjen, Bashkimi e pret Tiranën në Prizren. Edhe përforcimi i prizrenase, Tyler McDaniels, thekson se mund të bëjnë paraqitje edhe më të mira. "Ishte një ndeshje e mirë. Pas një kohe të gjatë kam luajtur dhe jam shumë i kënaqur. E kam shijuar në maksimum. Jam i lumtur që jam këtu dhe besoj se mund të përmirësohemi në të ardhmen", u shpreh McDaniels, transmeton faqja e Ligës Ballkanike. Trajneri i Blokotehna-NB, Marjan Ilievski, u shpreh se Bashkimi zhvilloi një lojë të mirë. "Ishte një fitore e rëndë- sishme për të mbajtur vendin e parë. Bashkimi ka treguar se ka ekip të mirë dhe mund t'iu shkaktojnë telashe të tjerëve. I uroj sukses në të ardhmen", deklaroi ish-trajneri i Sigal Prishtinës, skuadër me të cilën fitoi Ligën Ballkanike, duke qenë një trajner shumë i adhuruar nga tifozët prishtinas.

(Kosova Sot)