Evropa po na nënvlerëson

  • 22 January 2018 - 09:29
Evropa po na nënvlerëson

KOEFICIENTI I KLUBEVE KOSOVARE NË ARENËN NDËRKOMBËTARE MBETET SHUMË I ULËT

Rezultatet në arenën ndërkombëtare po i mungojnë futbollit tonë

Zhgënjimi që sollën dy klubet elitare të futbollit kosovar, Trepça'89 dhe Prishtina, në prezantimin parë në garat ndërkombëtare ka bërë që vlerësimi për futbollin tonë në arenën ndërkombëtare të jetë shumë i ulët. Mjafton të shikohet ranglista e UEFA-s për klubeve për ta parë vetën se ku jemi. Trepça'89 e Prishtina renditen në pozitat e fundit. Gjithsesi, kjo renditje edhe është e arsyeshme pasi klubet tona asnjëherë më parë nuk kanë marrë pjesë në garat ndërkombëtare dhe është e pamundshme të mbledhin pikë për t'u vlerësuar më shumë. Mirëpo, ajo që më shumë i shqetëson njohësit e futbollit është fakti se paraqitja e tyre në arenën ndërkombëtare ishte zhgënjyese e aq më keq që ajo qasje nuk ka ndryshuar fare dhe se rrezikojmë që edhe në garat e ardhshme do të sjellim prapë rezultate të turpshme, çka do ta zbehnin edhe më shumë imazhin e futbollit tonë në arenën ndërkombëtare. Ishfutbollisti i njohur kosovar, Arsim Plepolli, po çuditet sesi tash kur jemi pjesë e arenës ndërkombëtare po vazhdojmë të sillemi si joprofesionistë, ku një klub me 40 lojtarë udhëhiqet nga dy trajnerë, çka vërtet nuk ka aspak të bëjë me profesionalizmit dhe kjo është arsyeja që ne nënvlerësohemi karshi klubeve evropiane

Nuk ka shpresë për rezultate

Sipas Plepolli me mënyrën e punës që po bëjmë aktualisht nuk duhet pritur as në edicionin e ardhshëm rezultate të mira në garat ndërkombëtare. "Si po e shoh punën që po bëhet, unë personalisht nuk mund të them se do të bëjmë diçka më shumë se Evropë sesa që bëmë në paraqitjen e kaluar. Ne shumë më shumë kemi fjalë sesa punë dhe kjo po shihet edhe në këtë afat kalimtar, ku flasim për transfere bombastike e stafin e kemi amatorë. Marrim shembull Prishtinën si klubin më të madh në vendin tonë ku i kontrollojnë 40 futbollistë me 2 trajnerë. A mund ta quajmë profesionalizëm këtë punë? Natyrisht se jo", ka thënë Plepolli për gazetën "Kosova Sot" sipas të cilit rezultatet qoftë në rrafshin vendor e aq më shumë në arenën ndërkombëtare vijnë vetëm me punë profesionale e assesi me fjalë e premtime boshe.

Mungon profesionalizmi

Kur kanë mbetur edhe 8 ditë deri në mbyllje të afatit kalimtar të dimrit, skuadrat tona ende nuk kanë bërë ndonjë lëvizje të madhe me të cilët do të pretendonin të arrijnë rezultate të mira sidomos në arenën ndërkombëtare. Kjo edhe bën të besohet se klubet tona nuk po punojnë për Evropë, por vetëm për rezultate vendore në mënyrë që të vijnë deri te shpërblimi i majmë i FIFA-s që jep për kampionin dhe fituesin e Kupës. "Për të bërë rezultate në Evropë duket punë profesionale dhe përforcime të qëlluara nga jashtë. Tash për tash asnjërën nga këto nuk jemi duke e bërë, kështu që nuk mund të them se ne po përparojmë në futbollin kosovar", ka thënë për "Kosova Sot", Arsim Plepolli duke shtuar se nëse vazhdojmë kështu atëherë nënçmimi në të ardhmen do të jetë edhe më i madh. "Sigurisht që po nënçmohemi dhe do të nënçmohemi edhe në të ardhmen nëse nuk ndryshojmë në aspektin profesional. Pra ka kaluar koha që të mendojmë vetëm për ta marrë një pagë dhe t'ia bëjmë rrafsh vetës duke thënë 'hajt se mirë është'. Kështu nuk bën, duhet punë dhe angazhim për të arritur atje ku po pretendojmë", ka përfunduar Arsim Plepolli.

(Kosova Sot)